Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar pas lajmit të publikuar se në burgun e Peqinit, një dron ka tentuar të fusë sende të paligjshme brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit.
“Në datën 12 shtator 2024, rreth orës 20:37, shërbimet e sigurisë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Peqin konstatuar një mjet fluturues, dron, që fluturoi në një lartësi prej 100-150 metrash në territorin e burgut, ku për 1 minutë e 20 sekonda hodhi dy pako brenda ambienteve të burgut”, deklarojnë “Burgjet”.
Pas kontrolleve të detajuara, u zbulua se një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave.
Në një tjetër pako u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.
Këto janë pamjet që gazetarja Glidona Daci ka siguruar nga momenti kur droni fluturonte mbi burg.
Mjeti fluturues që në videon më sipër shfaqet duke pulsuar mbante këto dy pako me celularë dhe drogë.
Drejtoria e Përgjithshme thotë se pas këtij rasti ka rritur masat e sigurisë.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ndërmarrë menjëherë një sërë masash për të rritur sigurinë, duke përfshirë: shtimin e forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta; kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura dhe të mbyllura të IEVP-së; si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve në këtë ngjarje. Po ashtu, është parashikuar që të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme”, thuhet në deklaratë.
Policia e Shtetit dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të vënë përpara drejtësisë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton se do të vazhdojë të marrë të gjitha masat e nevojshme për të rritur më tej sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale brenda tyre. Të gjitha provat e gjetura kanë shkuar për ekspertim të mëtejshme në laboratorin shkencor”, mbyllet reagimi i “Burgjeve”.
Ndërkohë ky është rasti i dytë ku dronët përdoren për të futur sende të paligjshme në burgje. Disa ditë më parë një i ri u ndalua pasi dyshohet se tentoi ta bënte diçka të tillë në burgun e Burrelit./tvklan.al