Kur ka mbetur më pak javë para nisjes së Euro 2024 presidenti i FSHF-së, Armand Duka tha se Kombëtarja do të bëjë më të mirën e saj këtë aktivitet. Pavarësisht kundërshtarëve të vështirë si Spanja, Italia e Kroacia, Duka deklaroi se Kuqezinjtë nuk kanë frikë asnjë.
“Kemi kundërshtarë të sprovuar dhe jemi sfidantët e grupit të hekurt siç e quan e gjithë bota. Por ne nuk kemi frikë askënd dhe këtë e kemi treguar me lojën tonë. Sigurisht kemi vlerësim për kundërshtarët e fortë, por jemi gati për t’i sfiduar. Cilido që të jetë rezultati ne do të fitojmë nga ky kampionat Europian”, tha Duka.
Ky eveniment i rëndësishëm që do të transmetohet në Tv Klan nuk është i vetmi synim i Federatës Shqiptare të Futbollit, që ka aplikuar edhe për mikpritjen e Euro 2027 për 21-vjeçarët, në një bashkëpunim me Serbinë.
“Jemi menduar gjatë para se të vendosnim të bashkëpunonim me federatën serbe, cili më mirë se futbolli mund të japë mesazhe paqeje, bashkëpunimi e bashkëjetese që janë aq të nevojshëm në këtë periudhë tensionesh, ku luftërat nuk janë më imazhe filmash”, shtoi Duka.
Shanset për të fituar i vetëm këtë kompeticion, po ashtu edhe për Serbinë, ishin të pakta sipas Armand Dukës. Kreu i FSHF-së tha se do të donin shumë të kishin edhe zgjidhje të tjera, por Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera fqinje, as nuk plotësojnë kriteret, por as nuk kishin aplikuar.
Tv Klan