Kreu i SPAK ka ngritur një sërë shqetësimesh për punën në institucionin që ai drejton. Gjatë raportimit në KLP, Dumani kërkoi më shumë hetues, pasi siç u shpreh, prokurorët janë kthyer në punëtor krahu.
“Duhen shtuar hetuesit e BKH. Kemi rritje të ngarkesës sidomos kur vjen puna për bashkëpunimin me autoritetet e huaja. Nëse kemi hetues të mirë e profesionistë puna e prokurorit lehtësohet. Prokurori në një vend tjetër nuk kryen hetimet, kontrollon punën e hetuesit. Ne jemi kthyer në punëtor krahu.”
Një tjetër shqetësim i drejtuesit të SPAK ishte dhe numri i ulët i referimeve nga institucionet shtetërore, për rastete e korrupsionit. Kreu i SPAK ka ripërsëritur kërkesën që të rritet baza e shumës monetare prej 50 mijë Lekësh të reja për rastet e korrupsionit.
“Referimet nga institucionet publike në vitin 2023 kanë pësuar një rënie prej 40% krahasuar me vitin 2022. Mungesa e referimeve nga institucionet publike lidhur me veprat penale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Duhet riparë kufiri monetar. Nuk është e thënë që këtë kategori të veprave penale ta hetojë vetëm Prokuroria e Posaçme për një kufi të ulët monetar prej 50 mijë Lekësh momentalisht. SPAK është në gjendje ta kryeje hetim të ushtrojë ndjekjen penale karshi çdo subjekti.”
Dumani bëri debat me anëtarin e KLP-së Tartar Bazaj, për mandatin e prokurorëve të SPAK. Diskutimi nisi pas kërkesës së Dumanit që, pas përfundimit të mandatit 9 vjeçarë, prokurorët të kenë të drejtë rizgjedhje.
“E njejta logjikë vjen edhe për gjyqtarët zoti Bazaj dhe përdore këtë logjikë edhe për gjyqtarët. Pse gjyqtarët nuk bëhen të rrezikshëm, nuk bien në energjitë e tyre dhe e treta unë nuk thash automatik, por rivlerësim dhe dhënie mundësie për të kandiduar që do të thotë prap do të vij pranë KLP unë si Altin Dumani pas 9 vjetëve për të konkuruar nëse do të jem pjesë e Prokurorisë së Posaçme.”
Gjatë vitit 2023 SPAK ka regjistruar 201 procedime për korrupsion, 18 zyrtarë janë në hetim ndërsa janë sekuestruar 41 milionë Euro. Gjatë fazës së pyetjeve, anatarët e KLP-së nuk i kursyen falenderimet, për kreun e SPAK dhe punën e prokurorëve.
Klan News