#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
#edielashqiptare #arditgjebrea #program vasilika# shkoder #dhune #Rozi #rimartese #mirenjohje#kunate #sherbim
Sëmundja i lidhi nënën në krevat, Rozi: U bëra zonja e shtëpisë në moshën 10-vjeçare
Rozi e ka filluar jetën me sfida të forta. Në një rrëfim në “Ka Një Mesazh Për Ty”, zonja e hijshme nga Shkodra rrëfen për një fëmijëri të lumtur derisa në moshën 10-vjeçare, nëna e saj u sëmur rëndë. Nga ai moment, shprehet Rozi në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ajo u bë zonja e shtëpisë që qëndronte zgjuar gjithë natën për t’u kujdesur për nënën.
Rozi: Fëmijërinë time e kam pasur të mrekullueshme deri në moshën 10-vjeçare. Jam rritur në një familje me dy prindër e dy vëllezër, duke qenë edhe vajzë e vetme më kanë dhënë shumë dashuri. Sapo mbusha 10 vjeçe, nëna ndjesë pastë, kaloi një sëmundje shumë të rëndë dhe mbeti në krevat. Kjo zgjati për 10 vjet. U bëra si zonjë shtëpie. Aty sinqerisht filluan edhe vuajtjet, si koha, fukarallëku, gjithçka që mungonte. Nëna që në atë kohë ushqehej vetëm me lëngje kjo ishte dhimbja më e madhe që kam përjetuar në jetën time. Kujdesesha për nënën, mësoja gjithë natën, shkoja në shkollë, shpeshherë në orën e gjashtë kur bënim 6 orë mësim mua më zinte gjumi në klasë ngaqë s’flija gjithë natën. Në vitin ‘86 na erdhi një gëzim në shtëpi. Vëllai i madh u martua. Nusja ishte shumë e re e unë kisha shumë dhimbje kur e shikoja ashtu, i kisha harruar ato gjërat e mia por ajo u bë një burim dashurie, mirësie, gëzimi për të gjithë familjen tonë.
“U laja këmbët burrave në shtëpi”, martesa e dhunshme e Rozit: Vjehrra ishte nxitësja më e madhe!
Pas martesës së vëllait, Rozi ndodhej pikërisht në moshën kur mendonte për të krijuar jetën e saj e të gjente princin e kaltër. Ajo u fejua me shkuesi dhe mendoi se gjithçka ishte rregulluar, por aty jeta mori kthesë tjetër. “Për mua filloi një tatëpjetë e madhe”, u shpreh ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Në shtëpinë bashkëshortore e priste dhuna, përulja dhe skllavërimi.
Rozi: Që në ditët e para filloi për mua një jetë e tmerrshme, një jetë plot dhunë, kryesisht psikologjike. Fillimisht, më vonë, jo shumë vonë, filloi edhe dhuna fizike. Kjo ishte çështje mentaliteti, çështje formimi. Unë nga një vajzë e emancipuar, një vajzë e gjithanshme, me sportin, me artin, me punën, me gjithçka, u ktheva në një skllave, në një shtëpiake që duhet të përulesha përpara të gjithëve, që duhet t’i laja edhe këmbët burrave të familjes ose mysafirëve burra që vinin dhe gjithsesi vazhdova punën…
Ardit Gjebrea: Po e thua në mënyrë figurative apo prej vërteti?
Rozi: Jo, vërtet.
Ardit Gjebrea: Duhet t’u laje këmbët mysafirëve që vinin?
Rozi: Po, patjetër. Ishte një disnivel kulture, formimi, botëkuptimi. Ata vinin nga një fshat i Shkodrës dhe me vete kishin marrë edhe mentalitetin.
Ardit Gjebrea: Sa vjeç ishe ti?
Rozi: Unë në atë kohë isha 25 vjeçe.
Ardit Gjebrea: Po pse duhej, duhej se s’bën të bëhej kjo gjë?
Rozi: Ose do bëje atë, ose përndryshe… (bën gjest me dorë për të treguar dhunën fizike).
Rozi shton me keqardhje se vjehrra e ndjerë ishte “nxitësja më e madhe e dhunës”. Pas njëfarë kohe, Rozi ishte e vetmja që sillte të ardhura në shtëpi duke punuar m 3 turne e duke u kujdesur për të gjithë. Njëkohësisht, përjetonte edhe dhunën por më shumë lodhej nga dhuna psikologjike.
Rozi: Shkoja në punë, si çdo femër që ndryshon, herë i lidhja flokët, herë s’i lidhja, i lëshoja. Për këtë dhunohesha. “Pse i lidhi flokët sot, pse i lëshoi dje, pse veshi sot pardesy, pse veshi dje pallto?” Pra disa gjëra që sot duken shumë qesharake, por prej këtyre gjërave unë jam dhunuar, jam dhunuar sistematikisht.
“Heroina ime!”, Rozi emocionohet gjatë rrëfimit për “kuditën”
Martesa nuk ishte një oaz lumturie për Rozin. Me shumë dhimbje e trishtim, ajo ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” detaje nga jeta martesore që konsistonte në dhunë sistematike fizike e psikologjike. Ardhja e djalit në jetë nuk e ndihmoi aspak familjen dhe ajo mori vendimin për t’u larguar.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Rozi ka patur një mbështetje. Në fillim të rubrikës së programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ajo tha se kur u martua vëllai, nusja e re ishte “burim dashurie, mirësie e gëzimi”. Rozi e quan “kuditë” gruan që nuk e la kurrë në baltë.
Ardit Gjebrea: Kush është kujdesur për ty gjatë kësaj kohe?
Rozi: Ajo që është heroinë, heroina ime! Ajo që është për mua nënë, motër, vajzë, shoqe, ishte nusja e vëllait, ajo që u martua para se të martohesha unë.
Ardit Gjebrea: Kunata jote.
Rozi: Kunata ime. Unë nuk i them kunatë, unë i them kuditë. Ne kështu e thërrasim njëra-tjetrën. Ajo është heroinë për mua, jo nusja e vëllait. Thashë ajo është nënë, motër që s’e pata kurrë, vajza që s’e pata kurrë, është mikja ime më e mirë.
Ardit Gjebrea: Çfarë bënte ajo për ty?
Rozi: Megjithëse ishte shumë më e vogël se unë, ajo më ndihmonte mua për gjithçka. Kur çoja unë djalin te shtëpia, ishte ajo që anashkalonte djalin e vet e merrej me djalin tim. Vinte atje te puna, unë kam punuar në uzinën e telave, kabllove elektrikë në Shkodër, e linte djalin aty dhe vinte vrap të më sillte mua të haja bukë dhe ky ritual përsëritej çdo ditë.
Me sytë që i shkëlqejnë, Rozi ndan historinë e dashurisë me bashkëshortin 9 vite më të ri: Më ka ndryshuar jetën
Pas shumë stuhive në jetën e saj, pas një martese pa dashuri e me shumë dhunë dhe divorcit, Rozi nisi të rindërtonte jetën. 13 vite më parë, krejt papritur, fati solli në rrugën e saj dikë për të cilin kur rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty, i shkëlqejnë sytë.
Pavarësisht kërkesës së tij, Rozi vendosi të qëndronte te djali i saj në Francë por personi që e priste kishte bërë plane të tjera. Megjithatë, Rozi kishte disa dyshime për bashkimin e tyre të cilat i kujton në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Rozi: Ai kishte marrë numrin tim të telefonit, kishte marrë edhe numrin e djalit. Merrte djalin në telefon, më merrte mua. Përveç asaj që unë isha djegur nga martesa e parë, kishte edhe nja dy gjëra të vogla që mua më bënin konfuze.
Ardit Gjebrea: Për shembull?
Rozi: Po, ai i përkiste një besimi tjetër që në Shkodër pavarësisht se ne kemi një bashkëjetesë të mrekullueshme, te disa njerëz akoma ekziston ajo që “jo po mysliman, jo po katolike”…
Ardit Gjebrea: Pra ti katolike, ai mysliman.
Rozi: Kjo ishte e para. E dyta, ishte edhe kjo tjetra që për mua ishte shumë thelbësore.
Ardit Gjebrea: Që?
Rozi: Që ai ishte shumë më i ri se unë. Ai është 9 vjet më i vogël nga unë.
Ardit Gjebrea: Po kur thua “shumë vite” unë thashë sa ishte.
Rozi: Po shumë janë!
Ardit Gjebrea: Por nuk ju kanë penguar.
Rozi: Jo.
Sot ata kanë 13 vite bashkë që për Rozin ka qenë një kthesë totale në jetën e saj. Me shumë dashuri, ajo nis të rendisë të gjitha arsyet për të cilat ai ka marrë zemrën.
Rozi: Të them të drejtën më ka ndryshuar jetën totalisht. Është njeri i jashtëzakonshëm, ka një familje të mrekullueshme.
Ardit Gjebrea: Çfarë tha familja e tij në momentin e parë?
Rozi: Të jem e sinqertë, në fillim pleqtë hezitonin se normale, edhe unë e vë veten në pozitën e tyre.
Ardit Gjebrea: Bashkëshorti aktual nuk ka qenë i martuar më përpara?
Rozi: Jo, asnjëherë. Ai ka jetuar në Itali.
Ardit Gjebrea: Ndaj edhe familja e tij kishte pak paragjykime le të themi, fillimisht.
Rozi: Normale, për mua është krejt normale sepse të martohet një djalë që s’ka qenë asnjëherë i martuar, të marrë një grua që në finale është e divorcuar, me një fëmijë. Unë në atë kohë djalin e kisha 22 vjeç, sot është 35.
Ardit Gjebrea: Ai ishte rreth 40 në mos gaboj?
Rozi: Ai ka qenë 41 në atë kohë, unë isha 49 kur e kam njohur kështu që e justifikoja, asnjë mendim të keq s’kam patur për ta, asnjë paragjykim.
Ardit Gjebrea: Si kaloni sot?
Rozi: Sot jemi të lumtur aty ku nuk shkon më. Është njeri i jashtëzakonshëm, është njeri i mrekullueshëm që e vlerësoj më shumë jo për atë që tregon ndaj meje se më ka zgjedhur vetë, por ai ka një dashuri të pakufishme për djalin tim, për familjen time, e respekton shumë nusen time megjithëse edhe ajo e do, e respekton por unë e vlerësoj më shumë te kjo: te dashuria që ka për djalin tim.
Dashuri kuditash! Me fjalët më të bukura e të sinqerta, Rozi surprizon Vasilikën
Ndonjëherë njerëzit më të afërt e më pranë teje nuk janë gjaku yt. Rrëfimi i Rozit në “Ka Një Mesazh Për Ty” ishte për sfidën, vështirësinë, dhunën por edhe për dashurinë, kurajën e mirësinë. Ajo tregoi se si qëkur ishte fare e vogël e kujdesej për nënën e sëmurë, në shtëpi erdhi kunata, Vasilika që ishte një shoqe për të ndaj e quan “kuditë”.
Ajo i ka qëndruar pranë edhe në vitet e vështira të një martese të dhunshme, edhe kur u dashurua sërish dhe për Rozin, është një heroinë. Mirënjohja për Vasilikën nuk mjafton, ndaj Rozi ka vendosur që ta surprizojë kuditën në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.
Rozi: E kam menduar prej kohësh moj zemra ime! Kaherë kam menduar të ta bëj, megjithëse kam harruar ta cek: unë që kam atë mirënjohjen që nuk gjej fjalë t’ia them, e kam jo për atë që ka bërë për mua, por atë që ka bërë Vasilika, kudita ime, zemra ime, shpirti im për nënën time, atë që vazhdon të bëjë për babain tim e dashurinë që më jep kjo motër, kjo nënë, kjo vajzë, kjo mike, kjo dashuri që është për mua, është vështirë ta gjej diku tjetër prandaj zemra ime, në mënyrë publike, edhe si surprizë se e di që ti ke pasur qejf të vish te Arditi, me thënë të drejtën, ke pasur shumë qejf, thashë ku është vendi më i bukur e ku mund të gjendet një ambient më fantastik se të të shpreh dashurinë, mirënjohjen? Nuk gjej fjalë të ta them. Ti moj motër je heroinë, je super heroinë!
Vasilika: Faleminderit! A mund të them diçka… në familjen e këtyre kam ardhur pothuajse fëmijë, jam martuar 17 vjeçe por sa më ka ndenjur kjo afër, ato për mua kanë qenë momente shumë të vështira, prej një vendi tjetër, por kjo më ka ndenjur gjthmonë afër dhe i jam mirënjohëse tërë jetën, nuk ia harroj.
Ardit Gjebrea: Pra edhe Rozi të ka mirëpritur.Vasilika:Shumë, edhe në momentet e vështira, për mendimin tim kur je në momentet e vështira nuk duhet t’i harrosh se kur je mirë, s’ke nevojë për askënd