Në konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit kryeministri Edi Rama ka cituar fjalët e urta të Platonit.

“Mund ta falim lehtë një fëmijë që ka frikë nga errësira. Tragjedia e mirëfilltë është kur të rriturit kanë frikë nga drita. Kjo është sfida si të bëjmë që të rriturit të mos i tremben dritës e si t’i bëjmë qeveritë e institucionet shtetërore të mos i tremben dritës”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “e drejta për informim nuk është thjesht një instrument demokratik, por një parakusht për shëndetin dhe zhvillimin e demokracive funksionale.

“Në fund të fundit nuk është çështja të kemi ligje, por edhe t’i zbatojmë ato edhe hendeku midis hartimit të ligjeve dhe zbatimit të tyre është sfidë për shumë prej nesh. Ne jemi vende e njerëz që ndajmë një mendësi kur vjen fjala për të drejtën e informimit, por ndërkohë jemi të vetëdijshëm që nuk jemi suedezë.”

Rama foli edhe për rreziqet e teknologjisë së re.

“Besoj se ky bekim nga teknologjia e re vjen bashkë me një mallkim që është kapaciteti, aftësia që të kjo teknologji përdoret për qëllime keqinformimi, për kauzë apo edhe konfuzion. E drejta për informim përballet me një kërcënim të madh në njëjtën kohë kur kemi në dispozicion një mundësi të jashtëzakonshme. Na takon ne ta përdorim sa më mirë dhe të investojmë në infrastrukturën digjitale edhe në programet e edukimit për t’u siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje dhe të përdorin me efektivitet platformat dixhitale. Të gjithë duhet që të kuptojnë pikë së pari nga brenda qeverisë që ekspozimi i informacionit dhe përdorimi i tij për ta nxjerrë gjithçka në dritë është një proces i shëndetshëm dhe një mjet mjaft efektiv kundrejt dezinformimit”.

Kjo konferencë është forumi më i lartë dhe më i rëndësishëm i bashkëpunimit e koordinimit të Autoriteteve botërore rregullatore të së drejtës për akses në informacionin publik dhe transparencën.

Klan News