Kjo sallë e veshur me ngjyrat kuqezi është vendi ku kryeministri Edi Rama do të zhvillojë të dielën takimin me shqiptarët në Londër, si pjesë e vijimit të turit me dipasorën.
Takimi do të mbahet në orën 12.00 me orën lokale në “Copper Box Arena”, që gjendet në Parkun Olimpik të Mbretëreshës Elizabetë në Londër, i ndërtuar për Lojërat Olimpike Verore të vitit 2012.
Edhe ky takim do të jetë i ngjashëm si format me atë të Selanikut, ndërkohë që kapaciteti i sallës është për 7 mijë persona. Vetë kryeministri Edi Rama shpërndau pamjet në rrjetet sociale, duke thënë se gjithçka është gati.
Turi i kryeministrit në Londër vjen pas atij të Selanikut në 3 Nëntor dhe turit me shqiptarët e Nju Jorkut në fund të muajit Tetor.
Pas dakordësisë të arritur mes palëve politike, për herë të parë shqiptarët e diasporës pritet të votojnë në pranverën e vitit të ardhshëm në zgjedhjet parlamentare.
Në të gjitha takimet e zhvilluara me shqiptarët e Greqisë, Italisë e Nju Jorkut, Kryeministri i ka bërë thirrje emigrantëve që të votojnë për Partinë Socialiste, si e vetmja forcë politike në Shqipëri që do e bëjë vendin anëtare të Bashkimit Europian brenda kësaj dekade. Ndërsa takimi i radhës me shqiptarët e diasporës pritet të jetë ai në Gjermani.
Tv Klan