E diela e gjen Kryeministrin Rama me shqiptarët e Anglisë, në vijim të turit me diasporën. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë njofton se takimi do të zhvillohet në orën 12:00, me atë lokale, në “Copper Box Arena”, që gjendet në Parkun Olimpik të Mbretëreshës Elizabetë në Londër, i ndërtuar për Lojërat Olimpike Verore të vitit 2012.

Edhe ky takim do të jetë i ngjashëm si format me atë të Selanikut. Vetë kyeministri Rama ka publikuar edhe pamjet e sallës së takimit, që ka një kapacitet prej 7 mijë personash.

Turi i kryeministrit në Londër vjen pas atij të Selanikut më 3 Nëntor dhe turit me shqiptarët e Nju Jorkut në fund të muajit Tetor.

Pas dakordësisë së arritur mes palëve politike, për herë të parë shqiptarët e diasporës pritet të votojnë në pranverën e vitit të ardhshëm në zgjedhjet parlamentare.

Në të gjitha takimet e zhvilluara me shqiptarët e Greqisë, Italisë e Nju Jorkut, Kryeministri u ka bërë thirrje emigrantëve që të votojnë për Partinë Socialiste, si e vetmja forcë politike në Shqipëri që do e bëjë vendin anëtare të bashkimit Europian brenda kësaj dekade, ndërsa takimi i rradhës me shqiptarët e diasporës pritet të jetë ai në Gjermani.

Klan News