“Stop” ishte këtë të martë në Vlorë. Zonja e drejtuar në redaksinë e emisionit, ka një djalë 7 vjeç me sindromën down, i cili frekuenton klasën e parë në shkollën speciale.
Zonja tregon, se djali i saj është kafshuar nga shoku i klasës në prezencë të mësuesve dhe këta të fundit e kanë trajtuar rastin, si jo problematik.
“Jam nënë e një djali 7 vjeç me sindromën Down. Javën e dytë më është kafshuar dhe kam patur një reagim shumë të fortë, një gjendje emocionale nuk di ta shpjegoj, por është shumë e rëndë për një prind që fëmija të kafshohet në shkollë. Nuk më është thënë asgjë në atë ditë. E pashë fëmijën rrugës se mu ankua. E kishte kafshuar një fëmijë që ishte epileptik me diagnozë dhe ai ishte pak agresiv dhe i bie që nuk ka pasur kujdes siç duhet që ka ndodhur kjo që ka ndodhur”, tha denoncuesja.
Por në fakt, pas rastit të parë, incidenti është përsëritur edhe dy herë të tjera. Vetë 7-vjeçari arrin të tregojë për kafshimin në krah, që siç thotë ai, ia ka bërë një beb.
Gazetarja: Sa vjeç je? Mikrofonin e do ti? Sa gishta do nxjerrësh?
Fëmija: Shtatë! (tregon 7 gishta)
Gazetarja: Të ka kafshuar këtu te krahu?
Fëmija: (Tregon krahun) BEBI.
Nëna thotë, se është e shqetësuar për të ardhmen e djalit, pasi nuk ka perspektivë për fëmijët me këtë problem në Vlorë.
Shkolla 9-vjeçare speciale në Vlorë ka 35 fëmijë dhe 20 mësues, 2 mësues për maksimumi 6 nxënës.
U takuam me mësuesen kujdestare Genta dhe mësuesen ndihmëse Pranvera.
Mësuesja kujdestare mohoi, që të ketë ndodhur incidenti, ndërsa ndihmësja tregoi, se episodi i parë ka ndodhur në prezencën e saj.
“Nuk e di. Ju lutem se kam punë. Në klasën e parë në orën e mësimit nuk ka ndodhur asnjë kafshim kur kam qenë unë prezente. Fëmija ka dalë nga shkolla, nuk e di”, tha ajo.
Gazetarja: Ka ndodhur episode të kafshimit të fëmijës…
Mësuese Pranvera: Po ka ndodhur!
Gazetarja: Ku keni qenë ju në momentin, që ka ndodhur kafshimi i fëmijës?
Mësuese Pranvera: Tani kam dhe unë orë boshe, jam mësuese ndihmëse, jam punësuar për 20 orë punë në javë. Gjatë orëve, që unë kam asistuar si mësuese ndihmëse, mbështes mësueset e tjera në punën e tyre. Episodin e parë kam qenë prezente vetë. Në sekond shoku e kap shokun, e kafshon, sepse zihen për një lodër. Në moment ai kafshoi dhe unë sigurisht e largova. Vendosëm sot, që t’i kontrollojmë, që mos ta kem as unë, as dikush tjetër.
Ne takuam dhe drejtoreshën e shkollës Eda Llambro, e cila garantoi, se një situatë e tillë nuk do të përsëritet. Ajo pranoi, se ka mësues gjatë gjithë kohës në klasë dhe kafshimi i fëmijës është bërë në syrin e mësueses.
“Kam bërë mbledhje me mësueset që japin në atë klasë mësim. I kam këshilluar, i kam sugjeruar mënyrat e punës. Të dyja mësueset qëndrojnë në klasë. Mësueset në klasë kanë qenë. Ai mund të jetë edhe episod që ndodh në punë sekondi. Nuk e justifikoj fare këtë pjesë. Mësuesit kanë qenë në klasë.
Me prindërin e fëmijës që është agresiv kam marrë masa për çdo lloj gjëje. I kemi vënë në dukje, i kemi thënë pse i ndodh kjo, kemi varë vesh mënyrën e trajtimit të fëmijës.
I kam marrë të gjitha masat, garancia është 100%. Edhe rastin e djeshëm nuk e kuptova pse ndodhi. Nuk do të ndodhin më”, tha ajo./tvklan.al