Një vajzë 12-vjeçare në Ghana është marrë nën mbrojtje nga autoritetet pas raportimeve se ishte martuar me një prift 63-vjeçar. Në rrjetet sociale ka patur reagime të forta pas qarkullimit të videove nga dasma tradicionale.
Zyra e priftit, i cili është një njeri me ndikim që i shërben një komuniteti indigjen në kryeqytet, i doli në mbrojtje martesës dhe tha se është veç ceremoniale.
Policia thotë se e ka identifikuar dhe ndjekur vajzën që tashmë ndodhet nën mbrojtjen e tyre, bashkë me nënën e saj. Gjithashtu është kontaktuar ministri i fëmijëve dhe departamenti i mirëqenies sociale për t’u siguruar që vajza do të marrë mbështetjen e nevojshme ndërsa hetimet do të vazhdojnë.
Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe dhe lëvizja e policisë është duartrokitur, edhe pse një pjesë pyesin pse ende nuk janë kryer arrestime.
Prifti, Nuumo Borketey Laweh Tsuru XXXIII është një anëtar i nderuar i komunitetit që jeton në Nungua, Akra.
Në videot dhe fotot e publikuara nga dasma, dëgjohen gra që këshillojnë 12-vjeçaren të veshë rroba joshëse për bashkëshortin, të përgatitet për detyrat e saj dhe të përdorë parfumet që i kanë dhuruar për ta tërhequr më shumë.
Drejtuesit e komunitetit janë shprehur se këto detyra nuk do të përmbusheshin edhe për 6 vitet e ardhshme, kur vajza të mbushte 18 vjeç.
Megjithatë, grupet e shoqërisë civile vazhdojnë ta dënojnë martesën.
Sipas UNICEF, në Ghana ka 2 milionë kurorëzime në të cilat vajza ka qenë e mitur kur e kanë martuar. 9 nga 10 vajza të martuara nuk shkojnë në shkollë. Një studim i fundit tregon se 1 në 5 vajza ganeze në moshat 20-24 vjeç janë martuar përpara moshës 18-vjeçare.
Në kulturën vendase, përzgjedhja e kryetarëve, priftërinjve të lartë dhe grave të tij besohet të jetë një proces shpirtëror. Familje të përzgjedhura janë përgjegjëse për të zgjedhur dikë për këto role që t’u shërbejnë zotave.
Në rastin konkret, 12-vjeçarja vjen nga një familje ku sipas traditës duhet të japë një nuse për priftin e lartë. Për familjen është një nder, edhe pse në të shumtën e rasteve kandidatet për këto role janë të rritura./tvklan.al