“E paaaaaabesueshme! Jam në xhaminë e shqiptarëve, në lagjen e shqiptarëve në Damask të Sirisë”, kështu shkruan gazetari Blendi Fevziu krahas një videoje të postuar në rrjetin e tij social “Instagram”.
Teksa gjendet i rrethuar me shqiptarë në mes të Sirisë, Fevziu zhvillon një bisedë të shkurtër me një prej banorëve të zonës, Abdullahun.
Ky i fundit, 77 vjeç flet me shqipe të pastër gjuhën amtare teksa i prezanton gazetarit nipin e tij duke iu referuar me fjalët: Djali i çikës tem.
I mahnitur, Fevziu tregon se babai i Abdullahut ka ardhur 3 vjeç në Damask dhe ka jetuar 103 vjet. Megjithatë ai ka ruajtur gjuhën shqipe, të cilën e ka trashëguar tek i biri.
Blendi Fevziu: Jam në xhaminë e arnautëve, në xhaminë e shqiptarëve në lagjen e shqiptarëve në Damask. Edhe ky djali këtu, janë shqiptarë të gjithë. Jo të gjithë flasin shqip.
Abdullahu: Djali i çikës tem. Nipi.
Blendi Fevziu: Abullah e ke emrin?
Abdullahu: Po.
Blendi Fevziu: Abdullahu ka 77 vjet këtu, ka lindur këtu. Babai i ka ardhur 3 vjeç dhe ka jetuar 103 vjet. Imagjino. Të gjithë çfarë shihni janë shqiptarë dhe kjo është xhamia e shqiptarëve e ndërtuar nga shqiptarët në mes të Damaskut, lagje shqiptare dhe xhami shqiptare. Erdha sot. Janë duke u falur, këtu i gjeta.
Që prej ditës së djeshme, kamera e TV Klan dhe emisionit “Opinion” hyri në Damask, duke u bërë kështu hera e parë që një televizion shqiptar tregon realitetin sirian përmes lidhjeve direkte./tvklan.al