Problematika e radhës na çon në Njësinë Administrative 4, pasi qytetari Arben Jaupi, rezulton debitor me 111 milionë Lekë në OSHEE.

Arbeni tregon se ka jetuar në këtë banesë 24 m2, në pronën e të vëllait në vitet 2002-2010 me ish-bashkëshorten Edlira Kerri. Në vitin 2010 bashkëshortët u ndanë dhe në banesë qëndroi gruaja, por kontrata mbeti me emrin e Arbenit.

“I drejtohem emisionit “Stop” sepse jam debitor 111 milionë Lekë OSHEE për këtë shtëpi që kam këtu përpara që në fakt kam që në 2011 që jam larguar. Përpara se të dal tek historia e debisë. Shtëpia përballë është në kufi me murin e shtëpisë së vjetër, të prindërve të mi. Është 21 metra katrorë brenda për brenda. Ne e kemi marrë ndërtesën nga vëllai. E kemi mofidikuar. Bëmë edhe një shtesë për tualet. Kam jetuar bashkë me ish-bashkëshorten dhe vajza. Pas vitit 2010 si çdo familje që ka pasur jo marrëdhënie jo të mira erdhën edhe fërkimet e para gjë që ka çuar në divorc në vitin 2010. Gruaja qëndron aty me vajzën ndërsa unë dola nga shtëpia. As Edlira, as unë, nuk jemi pronarë. Hymë sa për t’u strehuar. Kjo ka qenë oborr, vëllai na e dha në përdorim që të jetonim. Matësi është në emrin tim”, tha ai.

Vetëm para 10 ditësh Arbeni u njoh me një faturë 55 milionë Lekë, dhe mbifaturimin 111 milionë Lekë.

“Në shtëpi u pat lënë ndezur një ventilator si konstatim që këtu banojnë njerëz, kjo ishte e fikur. Vëllai më thotë që këtu nuk vjen njeri. Ka vite. Shkoj pranë zyrave të OSHEE për t’u interesuar për kontratën time. Doli fatura e vitit 2020 me shumë 55 milionë Lekë. Shtëpi ka qenë. Mirë kjo. Kamatvonesa e saj ka vajtur 111 milionë Lekë. Do vazhdojnë akoma”, shtoi ai.

“Këtu mund të luhen dy faktorë. E para është e faturuesit që mund të ketë bërë leximin gabim dhe e dyta mund të ketë qenë që ka bashkëpunuar me zonjën Edlira. Për të bërë sa më tepër debitor emrin tim, ta përbalte, sepse pretendon që të mbajë shtëpinë dhe presioni më i madh është ky, që ta fusim sa më shumë në debi që të largohet nga shtëpia dhe ne ta zaptojmë si shtëpi. Edhe para disa vitesh më ka thënë që të hiqet emri i kontratës. Duke qenë se nuk e realizova, po merr hak. Unë kërkoj me insistim që të gjitha instancat, të hiqet sahati, të analizohet, të verifikohet, sepse kam dyshime që duhet të ketë ndërhyrje në saha”, shtoi ai.

Menjëherë Arben Jaupi u interesua tek OSHEE, ku i thanë se i ka në matës ato, që ka harxhuar, ndaj duhet të lidhë akt-marrëveshje për rinovim kontrate, duke paguar 10 mijë Lekë në muaj për 78 vjet.

“Ata nuk reaguan, më thanë që duhet të bësh një akt-marrëveshje për rinovim kontrate për të bërë një pagesë 111 milionë shuma totale, me 10 mijë lekë në muaj për 78 vjet. Unë jam 60 vjeç. Deri në 2078 i bie të shkoj 148 vjeç. Ishalla rroj. Nëse është Stopi me jetëgjatësi shpresën tek ju”, tha ai.

Në Zyrën e Kujdesit për klientin gazetaren e çojnë te dega e shitjes, ku sërish nuk japin informacion. Gazetarja pyet faturistin dhe ai thotë se është lexuar jo me 5, por me 6 shifra matësi. Po si është lejuar ky mbifaturim, askush nuk jep shpjegim.

Faturisti: Unë jam lexues. Ajo faturë, janë ca matësa që janë me 6 shifra, janë ca matësa me 5 shifra. Kur është kuadrati i bardhë dhe i kuq nuk lexohet, kur është i zi lexohet.

Gazetarja: Çfarë ka ndodhur me rastin sipas teje?

Faturisti: Lexuesi i parë ka lexuar me 5 shifra si familjar, kur ka ardhur ky i dyti e ka futur 6 shifra, por i thonë tek 10 mijëshja shkon ajo. Nëse ka qenë 1000, shkon 90 mijë kilovat. Kështu i ka shkuar atij.  

Denoncuesi iu drejtua policisë, Stopit dhe OSHEE për të komunikuar me ish-bashkëshorten e tij dhe për t;u futur në shtëpi që të merrej matësi.

“Kërkoj që zonja të hapë dera, se do na shkojë më gjatë. Ose zonja të hapë derën, ose le të rrijë aty dhe të paguajë borxhet e OSHEE-së”, tha denoncuesi.

Por zonja nuk ka pranuar më parë që të vijë.

Gazetarja: Tek emisioni jonë ka ardhur të ankohet ish-bashkëshorti juaj sa i përket çështjes së mbifaturimit.

Qytetarja Edlira Kerri: Problemi nuk është gabimi im, sepse faturistët që kanë hyrë dhe kanë dalë nuk e kanë marrë me 5 shifra, por me 6.

Gazetarja: Ne kërkojmë bashkëpunimin tënd që brenda mundësive të tregohesh e gatshme që të hapësh të paktën derën sepse nuk mund të hymë dot tek një banesë që mund të ketë gjërat e tua personale.  

Qytetarja Edlira Kerri: Dëgjo a të them diçka?

Gazetarja: Të bëhet leximi i matësit zonjë.

Qytetarja Edlira Kerri: Odeta të lutem, ish bashkëshorti po e kërkon me dhunë të hapi atë derë apo jo? Ai ka dy urdhra mbrojtjeje, nëse mua do të më afrohet ai përsëri, po ta bëj me dije, unë automatikisht edhe atë që s’është, do ta bëj, do të them ma bëri, më preku.

Gazetarja: Po flasim për matësin. Nuk dua të merrem me konfliktin që ti ke me Arbenin zonjë.

Qytetarja Edlira Kerri: O zemër, po prit të flas, njëkohësisht më keni marrë, ti më more sot, dje më mori Policia. Më ka bërë denoncim në Polici. Çfarë është kjo gjë kështu? Çfarë kam bërë? Çfarë kam vjedh?

Gazetarja: Moj zonjë duhet të vish, ai duhet të verifikojë matësin, nuk mund ta mbash peng, kupton sepse fatura është në emër të Arbenit.

Qytetarja Edlira Kerri: Nuk e kam mbajt peng, por ai do të mbajë shtëpinë.

Gazetarja: Zonjë nuk duam të marrim shtëpinë, por matësin, ta analizojmë. Ta lemë të hënën që të bëhet procedura, mos bëhemi pengesë.

Qytetarja Edlira Kerri: Po, po, padiskutim moj! Ama unë për të vjedhur, nuk kam vjedhur! Jam e qetë për këtë gjë! Jam në rregull! /tvklan.al