Kryebashkiaku Edi Rama ka drekuar sot në familjen e pensionistit Pandeli Andoni në Tiranë, fëmijët e të cilit kanë emigruar prej 15 vjetësh. Tema kryesore e bisedës mes kryetarit të bashkisë dhe familjarëve ishte emigrimi, mungesa e punës, pensionet e ulëta, të cilat nuk e përballojnë rritjen e çmimeve dhe e ardhmja.

Edi Rama: “Ajo që është shumë e rëndësishme është që duhet të përballojmë të gjithë bashkë një krizë që prek në radhë të parë familjet që mbahen me të ardhurat e emigrantëve të cilët për shkak të vështirësive që hasin atje do detyrohen të shtrëngohen dhe po sjellin më pak ndërkohë që edhe vetë rrezikojnë të humbasin mundësi, vende pune. Ndërkohë që këtu punësimi është një çështje themelore  dhe papunësia është një problem i rëndë social.”

Kreu i bashkisë tha se qeveria e ardhshme e së majtës do të bëjë shumë më tepër, për t’ua lehtësuar emigrantëve jetën. Sipas tij, ka munguar një politikë që të nxjerrë më të mirën nga njerëzit, që t’u japë arsye atyre për të jetuar këtu, për të punuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre; që t’i bëjë njerëzit që të ndihen krenarë për vendin e tyre dhe kjo është diçka që ne duhet ta ndryshojmë dhe do ta ndryshojmë./tvklan.al