Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme vendore, në një seminar dy ditor “Vota juaj për punën tonë”, organizuar nga Partia Socialiste, fondacioni Westmister dhe Partia Laburiste Britanike. Zoti Rama ka deklaruar hapur rikandidimin e tij për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Në një fjalim ku ka sulmuar në mënyrë konstante opozitën, kryebashkiaku Rama tha se fushata dhe fitorja e tij do të jetë shumë më e lehtë jo vetëm nga rezultatet e bashkisë.

Edi Rama: Falë bazës që kemi vënë në këtë mandat të parë dhe që do ta konsolidojmë edhe në muajt e mbetur duke qëndruar në dy binarë, në binarin tonë karakteristik dhe tashmë tradicional të punës së përditshme dhënë binarin ndihmës të opozitës, e cila unë jam i bindur çdo ditë nuk do të nguroj të jap kontributet e veta, nuk do të ngurrojë të plotësojë boshllëqet tona, nuk do të ngurojë ti shtyjë të gjithë qytetarët e qetë drejt oazit të punëve që ne kemi garantuar, nuk do të ngurojë të  tkurrë atë pjesë që mbetet rreth e rrotull kështjellës së saj. Ne do të vazhdojmë të punojmë sepse llogaria jonë nuk është me opozitën, por është me qytetarin, ballafaqimi nuk është me opozitën, por me qytetarin, gjykatësi nuk është komisioni apo komisionet, apo konferencat e shtypit, për të cilat unë e falenderoj opozitën, e falenderoj edhe kryeplakun e Partisë Demokratike se ka plotësuar të gjithë boshllëkun që ne kemi krijuar me cirkun dhe me estradën e Tiranës.

Rama ka premtuar se në mandatin e tij të dytë Bashkia e Tiranës do të përqendrohet në rikonstruksionin e shkollave dhe çerdheve dhe shtimin e tyre si dhe në ndërhyrjen në segmentet e unazës së vjetër.

Edi Rama: Dëshiroj të them njëkohësisht se me mandatin e ri ne do të mund të mbyllim tërësisht të gjithë unazën e vjetër të qytetit duke e lidhur unazën e vjetër me unazën e re ne do të kemi një ridimensionim të fluksit të trafikut. Në tre vitet e ardhshme Bashkia e Tiranës ashtu siç u bë një institucion kampion për punën në infrastrukturë, do të jetë një institucion kampion për punën me çerdhet dhe me shkollat. Dhe unë jam bindur se falë bashkëpunimit edhe me strukturat e qeverisë qendrore dhe me strukturat ndërkombëtare përkatësisht Bankën Botërore ne do të fillojmë që vitin e ardhshëm një  projekt pilot që konsiston në rehabilitimin e strukturave të edukimit, pra të kopshteve dhe të shkollave dhe që do të shërbej pastaj si një projekt mbi të cilin do të bëhet decentralizimi në shkallë vendi porsa i përket këtij elementi./tvklan.al