Gjatë turit të tij elektoral kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është takuar me tregtarë në pazarin e Korçës.

Sipas Ramës fuqia blerëse në këtë pazar është në nivele shumë të ulëta për shkak të ekonomisë së dobët. Rama pa nga afër edhe listat e borxheve që qytetarët u kanë tregtarëve.

Edi Rama: “Në 28 Qershor duhet të shkoni të gjithë në votim.”

“Do vemë të tërë në votim mos ki merak.”

Edi Rama: “Se duhet të votoni për veten tuaj, duhet të votoni për familjen, për Korçën dhe për të gjithë Shqipërinë, por në Korçë do bëjmë transformime rrënjësore.”

Më pas Rama është ndalur tek një shkollë e rrënuar jo shumë larg qytetit të Korçës.

Ai u ka premtuar nxënësve të shkollës në fshatin Trestenik se me ardhjen në pushtet të së majtës do të zhdukë një herë e përgjithmonë analfabetizmin që ka mbërthyer vendin.

Edi Rama: “Ne jemi këtu së bashku me deputetët që do t’ju përfaqësojnë ju në parlament pas 28 Qershorit për të marrë një angazhim solemn, për ta transformuar rrënjësisht sistemin tonë arsimor dhe për të transformuar rrënjësisht kushtet dhe mundësitë e fëmijëve të këtij vendi, të cilët duhet të kenë liri dhe të drejta të barabarta në radhë të parë për shkollim, pavarësisht nëse janë fëmijë të lindur apo të rritur në mes të Korçës, në mes të Tiranës, në mes të Shkodrës apo në provinca e në fshatra të largët”./tvklan.al