Lajme Arkiva 2004

Duke filluar nga ky vit infrastruktura parauniversitare e kryeqytetit do të administrohet nga Bashkia e Tiranës. Për këtë arsye kryebashkiaku Rama ka takuar dy ditë më parë drejtues dhe nxënës të shkollave të mesme, ndërsa sot i ka vijuar këto takime pune me drejtues dhe nxënës të shkollave 8 vjeçare.

Sipas Ramës infrastruktura e shkollave në Tiranë lë për të dëshiruar, por edhe fondi i cili është vënë në dispozicion për përmirësimin e tyre, nuk është i mjaftueshëm, për këtë arsye, tha ai nevojitet edhe kontributi, qoftë edhe modest i komunitetit të prindërve.

Edi Rama: Nevojat për ndërtime të reja janë disa dhjetëra herë më të mëdha se sa mundësitë tona dhe po ashtu edhe nevoja për rikonstruksione ndërtimesh ekzistuese. Por nga ana tjetër, unë mendoj se kjo bazë të dhënash dhe kjo analizë, nuk është e plotë pa marrë edhe mendimin tuaj, pa marrë edhe kontributin tuaj në formë sugjerimesh dhe në formë vërejtjesh lidhur me sa ju keni vënë re deri më sot.

Drejtorët kanë paraqitur përpara kryetarëve të bashkisë problemet më kyçe që evidentohen në shkollat e tyre. Rama ka kërkuar nga drejtorët që të dorëzojnë në bashki një formular ku të renditen të gjitha problemet që kanë shkollat që ata drejtojnë në mënyrë që të shikohen me prioritet të gjitha ato shkolla që kanë nevoja më akute./tvklan.al