Olsi Rama është paraqitur në SPAK këtë të premte. Gazetarja Glidona Daci raporton se vëllai i kryeministrit Edi Rama është paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në lidhjke me padinë e Gazment Bardhit për çështjen “Xibraka”.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, Rama u tha gazetarëve se nuk ka asnjë lidhje me personat e përfshirë në dosjen në fjalë.
“Ju e dini shumë mirë se i kujt është automjeti. Unë i kam marrë automjetin në atë kohë një personi për të shkuar për të bërë një udhëtim dy ditor në Selanik dhe kaq. Nuk kam lidhje fare me asnjë nga personat që përmendni dhe vetëm një person njoh, komplet rastësisht”, tha Rama.
Kujtojmë se Olsi Rama është akuzuar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në lidhje me dosjen “Xibraka”. Demokrati ka kërkuar rihapjen e hetimeve për laboratorin e drogës si dhe ka kërkuar që të hetohet vëllai i kryeministrit.
Pas akuzave të Bardhit reagoi vetë Olsi Rama, i cili po ashtu kallëzoi penalisht në SPAK kreun e grupit parlamentar të PD. Padia ndaj Gazment Bardhit është për “Kallëzim të rremë”, ku është artikuluar ndër të tjera se akuzat janë të pavërteta, po ashtu si faktet e pretenduara.
Edhe këtë premte ai deklaroi se akuzat e Bardhit janë të pavërteta.
“Unë e kam bërë kallëzimin sepse e kam konsideruar një manipulim të të gjitha fakteve dhe një gënjeshtër shumë të madhe. Prandaj, për të dalë e vërteta”, tha ai.
Vëllai i kryeministrit Rama i ka konsideruar akuzat e Bardhit si lëvizje politike, që lidhen drejtpërdrejt me faktin që është vëllai i kryeministrit të vendit./tvklan.al