Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit Arie Haan ka premtuar një lojë sulmuese ndaj kundërshtarit të dobët të miqësores Lichtenstein. Holandezi Haan ka deklaruar në një konferencë për shtyp se do të kishte preferuar që të kishte një kundërshtar të nivelit të Suedisë, duke qenë se me nordikët do të ndeshemi në takimin e parë eliminator të botërorit.

Sa i përket mungesës së Bogdanit, Haan e ka argumentuar zgjedhjen e tij duke thënë se futbollisti ka kohë që nuk ka shënuar, ndryshe nga Salihi e Kapllani. Përfaqësuesja e futbollit është në përgatitjet e fundit për miqësoren e mbrëmjes së të mërkurës dhe ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin “Besa” të Kavajës.

Trajneri i kombëtares  kishte grumbulluar 18 futbollistë, aq sa do të kishte edhe në fushë. Por është dëmtuar edhe Lorik Cana që edhe pse i pranishëm në stërvitje nuk do të marrë pjesë në këtë ndeshje.

Shqipëria e luan këtë miqësore në kuadër të përgatitjeve të fillimit të sezonit eliminator të kampionatit botëror 2010./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe