Trajneri i kombëtares Arie Haan ka ndjekur në fundjavën që sapo kaloi dy ndeshjet e kampionatit, duke u larguar i zhgënjyer për nivelin e futbollit në Shqipëri. Shkak i lojës së dobët është infrastruktura e munguar në kushtet e stërvitjes, të cilat fillojnë që në akademinë e sporteve e shtrihen në pjesën më të madhe të klubeve.
Astrit Hafizi: “Kohë që të paktën pas viteve 90 që çdo gjë ka ardhur duke u prishur dhe jo duke u rregulluar. Trajnerët janë të kualifikuar dhe vijnë vazhdimisht të kualifikohen. Unë nuk e shikoj tek kualifikimi i trajnerëve problemin, por e shikoj te infrastruktura, sepse e kam provuar vetë dhe e kam parë kur ke kushte shumë të mira, stërvitja mbahet dhe bëhet me qëllim shumë të lartë.”
Si rrjedhojë e kësaj Arie Haan do të mendohet dy herë përpara se të zgjedhë një futbollist të kampionatit për në kombëtare, por Hafizi sheh tek Arie Haan një kontradiktë.
Astrit Hafizi: “Ose do t’i qëndrojmë asaj thuhet që vetëm lojtarët që luajnë jashtë shteti do të vijnë në kombëtare. Ose versioni tjetër, lojtarë që luajnë kanë të drejtë të vijnë në kombëtare, sepse kemi raste që edhe lojtarët që janë jashtë shtetit nuk luajnë vazhdimisht me kombëtaren. Lojtarët që luajnë vazhdimisht janë vetëm këtu në Shqipëri, që ka pjesën më të madhe lojtari që kanë bërë gati 100% të ndeshjeve që luajnë, sepse ka raste ndonjëherë, ju jeni edhe dëshmitar që kur nuk të aktivizohet një lojtar i ardhur nga jashtë shtetit, del versioni që aktivizohet pak ose nuk aktivizohet pak me klubin.”
Hafizi i referohej faktit se në ndeshjet e para të këtij sezoni Haan nuk e grumbulloi Erion Bogdanin me justifikimin se është aktivizuar pak në skuadrën e tij në Itali.
Ish-trajneri i kombëtares dhe i disa skuadrave të kampionatit shqiptar, e parashikon ecurinë e përfaqësueses me hope ashtu siç rezultoi në 3 ndeshjet e para të këtij sezoni. Barazim me Suedinë, fitore me Maltën dhe një humbje e shëmtuar me Hungarinë. Sa për kualifikimin në fazën finale të një gare ndërkombëtare është ende herët për të folur./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe