Në Shqipëri pritet hapja e bursave private ku mund të tregtohen aksione si dhe do të çelen fondet e para të investimeve. Kjo falë asistencës së USAID-it.
Drejtoresha e këtij programi, zonja Leeza Timofeeva, tha se ka mjaft interes nga kompanitë e huaja dhe vendase për t’u bërë pjesë e bursës.
Leeza Timofeeva: “Po vazhdojnë bisedimet me një partner strategjik në Evropa Perëndimore, i interesuar për t’u bërë ortak potencial i bursës në Shqipëri. Vitet e fundit institucione financiare apo kompani vendase dhe të huaja janë treguar të gatshme duke theksuar nevojën për krijimin e një burse me mundësi për sukses.”
Gazetari: A është momenti i duhur për të bërë aktive bursën dhe cilat do të ishin përfitimet?
Leeza Timofeeva: “Mendoj se kushtet ekonomike në Shqipëri janë pjekur. Bursa ndihmon për zhvillimin ekonomik, sjell investime të huaja, mobilizon kursimet vendase, krijon mundësi për kompanitë në Shqipëri të shtojnë fondet. Me aprovimin e rregullores së re në Tetor, i cili lejon një bursë të krijohet si shoqëri aksionere, sektori privat duhet të kërkojë të licencohet. Mendoj se kjo ka për të ndodhur shumë shpejt. Rregullorja e bursës është shkruar nën asistencën e Autoritetit Mbikëqyrës Financiar të Polonisë dhe ne kemi përshtatur disa nga praktikat më të mira evropiane. Ne jemi duke punuar edhe për draftin e parë ligjor për të sjellë fondet e investimeve në Shqipëri qofshin të huaj apo vendas”.
Ekspertja e USAID-it mendon se krijimi i bursës është një zhvillim pozitiv sidomos për ato shoqëri, menaxhimi i të cilave do të përmirësohet kur të listohen në bursë pasi do të bëhen shumë transparente dhe eficente konform standardeve ndërkombëtare.
Por në kushtet kur bursat ndërkombëtare janë përballur me jo pak probleme a parashikon rregullorja e re parandalimin e tyre?
Leeza Timofeeva: “Bursa është një institucion i tregut kështu që aksionet e një kompanie të listuar mund të ngrihen apo të bien dhe kjo shpeshherë reflekton kushtet ekonomike të një shteti. Mund të merren masa mbrojtëse për të ndihmuar bursën të jetë një instrument sa më eficent si mbikëqyrja efektive dhe rregullore të tilla nga Autoriteti Mbikëqyrës Financiar janë shumë të rëndësishme.”
Gazetari: Çfarë duhet të përmbushë një kompani për t’u bërë pjesë e bursës?
Leeza Timofeeva: “Një shoqëri që dëshiron të listohet publikisht në bursë i duhet të paraqesë pasqyrat financiare sipas standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit. Do të duhet t’i raportojmë më shumë aksionerëve të tyre. Kështu pra drejtimi i kësaj shoqërie do të forcohet gjithashtu”./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro