Me këto çizme llastiku Made in Albania, një simbolikë për ndërtimin dhe shkeljen e hapësirave publike, sot studentja Dila Gjinaj fitoi trofeun e Artit Bashkëkohor 2009, dhënë nga kompania e telefonisë celulare AMC, me një shpërblim prej 500 eurosh.

Pikërisht mbi temën “Maket” është ngritur kjo ekspozitë e studentëve të grafikës, modës, tekstilit dhe multimedias e pikturës në mjediset e Galerisë FAB të Fakultetit të Arteve Pamore, kuruar nga pedagogët Najada Hamsa dhe Ardian Isufi.

Në të dytin vit radhazi kompania AMC ndau edhe tre çmime inkurajuese për studentët Fabjola Zoto, Erjet Muçollari dhe Artenisa Çullahi.

Gjithkund në mjediset e galerisë mbizotërojnë idetë e përveçme mbi kaosin e qyteteve shqiptare, që më së shumti ka shndërruar fytyrën e kryeqytetit, duke krijuar idenë e një qyteti të betonuar pa hapësira të gjelbërta.

Një përditshmëri njerëzore ku smogu si në këtë glob prej xhami i ka zënë frymën jo vetëm këtij grumbulli ndërtesash, por edhe vetë qendrës së kryeqytetit.

Me një nëntekst të fortë studentët ngrenë pikëpyetjet e tyre përmes artit, për rrugëtimin dhe gjurmët që lenë në të ardhmen këto simptoma të tranzicionit të tejzgjatur, që shumë kush do të mund t’i lexonte edhe në këtë performancë në mes të  ekspozitës, që i përngjan një harte të shënjuar nga gjurmët e qirinjve të varur në fije teli.

Sipas pedagogëve studentët janë mbështetur në idetë e filozofit francez Jean Baudrillard dhe mbi idenë e maketit për të reflektuar mbi diskutimin e hapur prej vitesh mbi realitetin urban në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani