Mesditën e sotme, Interpol Tirana, në kuadër të operacionit policor të koduar “Para drejtësisë”, ka ekstraduar nga Kolumbia, 25-vjeçarin shqiptar, Admir Tutaj
I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me vendimin e datës 30 Korrik i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Në muajin Prill 2023, Policia e Shtetit organizoi një operacion në Pikën e Kalimit Kufitar në Portin e Durrësit. Në një automjet furgon tip “Benz”, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një arsenal armësh që ishte fshehur në një tavolinë druri.
Nga hetimet ka rezultuar se Tutaj në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, kishin siguruar arsenalin e armëve dhe kishin organizuan trafikimin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
Si rezultat i bashkëpunimit midis Interpol Bogota/Kolumbi dhe Interpol Tirana u bë i mundur arrestimi i tij në Kolumbi dhe ekstradimi në Shqipëri./tvklan.al