Gjykata e Posaçme la në arrest me burg pa afat 25-vjeçarin Admir Tutaj, i cili u ekstradua pak ditë më parë nga Kolumbia drejt vendit tonë. Togat e zeza rikonfirmuan masën e sigurisë të caktuar në mungesë ndaj tij.
Në seancën gjyqësore që u zhvillua me dyer të mbyllura, Tutaj nuk foli gjatë, por gjyqtarja konfirmoi masën e kërkuar nga prokurori i çështjes. Sipas Prokurorisë së Posaçme Tutaj bënte pjesë në grupin kriminal që tentuan të trafikojnë armë zjarri drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Pjesë e grupit janë identifikuar edhe 5 persona të tjerë, të cilët siguronin pistoleta, u fshinin numrat seria dhe më pas nëpërmjet specialistëve të fushës së mobilierisë në periferi të Tiranës i fshihnin në produkte druri kryesisht tavolina.
Këto më pas me armët brenda dërgoheshin nga kompani transporti nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Në Shqipëri u gjet edhe një bazë e përdorur prej tyre në Tropojë ku u gjetën 25 armë, 24 pistoleta dhe 1 kallashnikov.
Klan News