Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Danjela Kumija është emri i vajzës së humbur të Sajdeko Sejatit. Edhe 12 vjet pas humbjes, kjo nënë nuk di ende fatin e të bijës, nëse ka vdekur, është birësuar në mënyrë të paligjshme, apo ka rënë pre e trafikut të organeve.

Historia fillon rreth 13 vjet më parë, duke qenë në kushte të mjera ekonomike, Sajdeko detyrohet të lërë përkohësisht fëmijën e sëmurë tek murgeshat katolike.

Sajdeko: “Kaluan 3-4 muaj e kisha të drejtën e takimit në datën 21, 23 se s’e mbaj mend mirë dhe vija shikoja vajzën kishte ndryshime. Kaluan 4 muaj, më mbrapa pastaj ma ndërprenë 6 muaj rresht, vija gjithmonë, njëherë më thoshin nuk janë motrat, murgeshat këtu, janë në Tiranë, kur kishte ardhur Nënë Tereza atëhere, njëherë thoshin janë në Durrës në plazh, njëherë thoshin në Korçë. Megjithatë kaloi rresht 6 muaj. Bëja përpjekje të mëdha, po nuk kisha rezultat, në krye të 6 muajve, unë tentova të hyja me forcë aty”.

Pas këmbënguljes për t’u takuar me të bijën, murgeshat i thonë se vajza ka vdekur.

Sajdeko: “Më çoni tek varri i vetë, këto nuk më çuan”.

Në varrezat e Elbasanit, ekziston një varr që mban emrin e Danjelës, por me një mbiemër tjetër. I dyshimtë rezulton dhe fakti se familja nuk është njoftuar pas vdekjes dhe se varrimi është bërë nga vetë murgeshat, e jo nga varrmihësi dhe ndërmarrja përkatëse.

Familja është kërcënuar me armë sa herë ka insistuar për të zbardhur fatin e të bijës.

Sajdeko: “Ishin dy burra të mëdhenjthoshin ishin të SHIK-ut. Megjithatë, pasi kemi konstatuar nuk kanë qenë siç thotë komandanti i SHIK-ut, nuk e di tani, se kanë qenë të SHIK-ut, se s’kanë qenë të SHIK-ut dhe u hoqën si të SHIK-ut mua ë kanë kërcënuar brenda në shtëpi me gjithë burrin, kur kam qenë në pallat në Cërrik dhe e kam lënë në heshtje për ca kohë, megjithatë meraku si nënë nuk më ka lënë, rri e rri dhe prapë mundohem ta kërkojë një të drejtë jo për ndonjë gjë”.

Me gjithë insistimin e nënës gjatë 12 viteve dhe ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, shefi i trafikut në policinë e Elbasanit ka deklaruar, se vetëm ditët e fundit strukturat përkatëse janë vënë në lëvizje për hetimin e çështjes./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj