Arkiva Lajme – Tv Klan 1999
Rritet në mënyrë të menjëhershme qeraja e banesave në Elbasan. Edhe tregu i shitjes së shtëpive rregjistron shifra të larta e të panjohura më parë. I njohur në gjithë vendin si një ndër qytetet me më shumë probleme sociale, rrjedhimisht me papunësinë më të madhe në Elbasan çmimi i shitjes së banesave dhe qeraja e tyre ka qenë nga më të ultat.
Ky çmim tani është rritur dukshëm për shkak të kërkesave të shumta për marrjen e shtëpive me qera. Kanë qenë të ardhurit kosovarë që në të vërtetë kanë ndikuar në çmimin e shitjes dhe të dhënies me qera të banesave në Elbasan. Ndonëse nëpër familjet qytetare elbasanase janë strehuar mbi gjashtë mijë të ardhur kosovarë, shumë prej tyre kërkojnë të bëjnë një jetë më të qetë dhe më të pavarur.
Të ardhurit e justifikojnë marrjen e shtëpive me qera për arsye se kanë në familjet e tyre fëmijë të vegjël e të moshuar të cilët nuk e përballojnë dot jetën nëpër kampingje. Ata që kërkojnë shtëpi me qera në të shumtën e rasteve kanë të afërmit e tyre emigrant në perëndim. Të ndodhur përball këtij fakti familjet elbasanase po sistemohen tek të afërmit e tyre duke lënë me qera shtëpitë e tyre.
Çmimet ndryshojnë në varësi të largësisë nga qendra, kati, mobilimi etj. Në qendër një apartament tashmë arrin deri në 500 marka, ndërsa në periferi shkon deri në 300 marka./tvklan.al
Gazetar – Eduart Frangaj