Fjorald Zguro: “Ecurinë e punimeve në autostradën Rrëshen-Kalimash, veprën më të rëndësishme të infrastrukturës shqiptare e ka parë nga afër dhe kongresmeni amerikan, Eliot Engel, i cili e ka quajtur këtë si një rrugë mjaft vizionare që do i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por dhe mbarë rajonit.”

Kongresmeni amerikan pati mundësinë të ketë një pamje të plotë të rrugës gjatë udhëtimit të tij me helikopter nga Tirana deri në hyrje të tunelit në Thirrë, të cilin e vizitoi më pas.

I pyetur nga TV Klan rreth përshtypjeve të kësaj vizite kongresmeni u përgjigj se kishte mbetur shumë i befasuar nga puna e mrekullueshme përgjatë gjithë gjatësisë së autostradës.

Eliot Engel: “Kjo është e jashtëzakonshme. Udhëtuam me helikopter mbi gjithë projektin që shtrihet nëpërmjet maleve. Pamë gjëra dhe vende që nuk mund t’i imagjinonim dot. Pamë gjithçka, punën që po bëhet në këto male dhe është e pabesueshme. Mendoj se ky projekt është i mrekullueshëm dhe tregon për një vizion të jashtëzakonshëm. Kur kryeministri po më tregonte për këtë dje, nuk e imagjinoja dot se sa bukur do të ishte. Dua të uroj popullin e Shqipërisë, kryeministrin dhe zyrtarët e qeverisë sepse mendoj se ky projekt është shumë i mirë dhe do t’i sjellë Shqipërisë një të ardhme, me të vërtetë. Nga kjo rrugë nuk do të përfitojë vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Do ta kthejë Shqipërinë  në një qendër progresi në rajon. E dimë që rruga do të shkojë deri në kufirin me Kosovën dhe mendoj se do të ketë një vazhdimësi të saj përtej këtij kufiri. Jam i befasuar, sepse kur mendon se sa shumë punë duhet për të bërë një projekt të tillë, punëtorët, materialet, logjistika e përdorur, tregon se kjo është një sipërmarrje e jashtëzakonshme dhe përfshin një vizion për të ardhmen.”

Kongresmeni Engel duke parë punën kolosale që po bëhet në këtë pjesë të Shqipërisë nuk nguroi të heqë vija paralelizmi mes kryeministrit Berisha dhe ish-presidentit amerikan, Eisenhouer, i cili arriti të ndërtojë një rrjet rrugor që do të lidhte çdo cep të Amerikës.

Kjo është një rrugë që do e çojë Shqipërinë drejt së ardhmes, tha Engel.

Eliot Engel: “Mbaj mend nga fëmijëria ime në Nju Jork gjatë kohës së presidentit Eisenhower ai vendosi të ndërtonte një sistem kombëtar autostradash, me rrugë që do të lidhnin çdo cep të Shteteve të Bashkuara. Ky projekt më kujton pikërisht këtë. Kjo është me të vërtetë një rrugë që do e çojë Shqipërinë drejt së ardhmes. Kur shoh këto njerëz që gërmojnë në këtë tunel, gjithë këtë logjistikë. Është me të vërtetë e jashtëzakonshme. Ndihem i privilegjuar dhe me fat që jam këtu”./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro