Seriali i njohur i Netflix  “Emily in Paris” që ka mbërthyer pas ekranit të madh e të vogël ka futur në mosmarrëveshje presidentin Emmanuel Macron dhe kryebashkiakun e Romës. Sezoni i ri i “Emily in Paris” zhvillohet në kryeqytetin italian ku protagonistja kërkon mundësi të reja pune dhe për dashurinë.

Megjithatë, nisja e sezonit të ri në Romë është kthyer në çështje politike dhe presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar se do të luftojë fort për ta mbajtur në Francë.

“Ne do të luftojmë fort. Do t’u kërkojmë të qëndrojnë në Paris! ‘Emily in Paris në Romë’ nuk ka kuptim”, tha ai për revistën e njohur “Variety”.

Pas komenteve të presidentit francez, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i kryebashkiakut të Romës, Roberto Gualtieri, i cili iu përgjigj në rrjetet sociale, duke shkruar: “I dashur Emmanuel Macron, mos u shqetëso: Emily po ia del shumë mirë në Romë. Dhe njeriu nuk mund ta kontrollojë zemrën: le ta lëmë të zgjedhë.”

Seriali është kritikuar në Francë pasi e tregon Parisin me shumë shkëlqim, por shifrat e shikueshmërisë kanë qenë shumë të mira.

“Emily in Paris” nisi të transmetohej në mes të pandemisë në 2020 ndërsa thuhet se edhe ka nxitur turizmin në kryeqytetin e vendit, sipas një studimi të kryer nga qendra kombëtare e filmit të Francës në janar.

Klan News