Sonte në mbrëmje në Histori me Zhurmues do të kthehemi në vitin 1979.

Një vit pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, në Shqipëri filluan të ndihen shenjat e një kolapsi ekonomik, i cili vazhdojë të thellohej deri në fund të diktaturës.

Nëpërmjet intervistave të të ftuarve tanë do të mësojmë për vështirësitë dhe përpjekjet e bëra nga masat punonjëse gjatë kësaj periudhe, për të dalë nga kjo gjendje, për aksionet dhe nismat e herë pas hershme të rinisë të cilat nxiteshin nga fjalimet programatike të Enver Hoxhës.

Personazhi i parë për sonte është Abaz Bajraktari, punonjës në kombinatin metalurgjik në Elbasan.

Nëpërmjet bisedës me të do të njihemi me punën dhe vështirësitë e mëdha ekonomike në këtë kombinat, për t’i bërë ballë të ashtuquajturës bllokadë ekonomike të imperializmit revizionizmit.

Do të njihemi me novacionin e grupit të punës i cili bëri të mundur dëshirën ambicioze për të kthyer Skodën çeke në një lokomotivë.

Abaz Bajraktari: “Specialistët ishin me gishta”.

Pandi Laço: Për të marrë kategorinë më të lartë. Të 7-ën apo jo?

Abaz Bajraktari: “Po, të shtatën”.

Pandi Laço: Sa paguhej një specialist me kategorinë e 7?

Abaz Bajraktari: “7500 lekë merreshe atje te ne se ishte vendi i punës, makineria e rëndë”.

Pas fjalës që u kthye në slogan të udhëheqësit, sikur të isha 20-vjeç do kisha shkuar të punoja dhe jetoja në fshatin socialist. Në të gjithë vendin filluan lëvizje masive dhe aksione.

Një ndër vullnetarët që punuan për ndërtimin e brezarëve të Ksamilit, ishte edhe Rrapo Kapurani.

Gjatë bisedës me të do të njihemi me punën në këto aksione dhe me odisen e tij nga Gjirokastra në Elbasan, nga Elbasani në Ksamil dhe nga Ksamili në institutin e lartë të arteve.

Rrapo Kapurani: “Ne ishim njerëz të asaj kohe, me bindjet e asaj kohe, me ëndrrat e kësaj kohe, me ëndrra do të thosha unë në kornizën e asaj kohe dhe ne ishim një ëndërr në kornizë të asaj kohe”.

Për adhuruesit e futbollit do të kemi të ftuar në studio një nga emblemat e atyre viteve, të njohur nga sportdashësit dhe pseudonimin ujku, Ferid Ragamin.

Karriera e djaloshit nga Tropoja me Shkëndinë, Partizanin, Vllazninë dhe kombëtaren. Episode të jetës së tij futbollistike, por edhe jashtë fushës së blertë, arratisjen e disa prej futbollistëve si dhe ngjarje të tjera, do të zbulohen gjatë bisedës me të.

Ferid Ragami: “Unë faktikisht nuk kisha këpucë për të lujtë futboll dhe i mora Sul Starovës këpucë dhe ai kishte 2 palë. Dhe lujta me këpucët e Sul Starovës, dhe i thash mbas ndeshjes, i thash Sulës ters paska kenë kjo punë, pse s’të ligjova edhe unë si puna jote mos ta gjusha penalltinë”./tvklan.al