Sot në mbrëmje sërish në ekranin tuaj një tjetër faqe e historisë së vendit tonë 45 vitet e diktaturës komuniste. Viti 1955 me ngjarjet e tij kryesore në politikë dhe fushat e tjera të jetës do të vijë në programin televiziv “Histori me zhurmues”, që si gjithmonë transmetohet çdo të diel në ora 21.

Bëhet fjalë për një nga vitet e mbarsura me dashurinë dhe marrëdhëniet e ngushta shqiptaro-sovjetike që realizohen në pjesëmarrjen aktive të shoqërisë në traktatin e sapo krijuar të Varshavës. Një traktat miqësie dhe bashkëpunimi mes vendeve të Europës Lindore, por në të vërtetë një koalicion politiko-ushtarako, i krijuar në vendet ish-komuniste si kundërpeshë e koalicionit të Atlantikut të Veriut, NATO-s krijuar disa vjet më parë.

Personazhi i ftuar gjenerali Halim Ramohito, përfaqësues ushtarak i vendit tonë në këtë traktat do të rrëfejë skenat dhe prapaskenat, qëllimet, politikat dhe marrëdhëniet e asaj kohe.

Halim Ramohito: “Sovjetikët na propozuan që të bëjmë një aerodrom në Fushë Dukat, kjo nuk u bë edhe ç’është e vërteta në këtë e kemi patur në marrëveshje. Ata vendosën raketa në Ravenë por raketa me rreze të mesme veprimi që përfshinin gjithë Mesdheun këto raketa. Në fakt këto raketa nuk u vendosën atje edhe kjo ne krijuam ndryshime këtu edhe për marrëveshjen që kishim bërë me ta. Neve diskutonim në atë kohë neve gjeneralët Petrit Dume e të gjithë ne, mirë ne e aprovuam që të vendosim raketa, po sikur ata të vendosin raketa jo me mbushje konvencionale po me atomike, atëherë vendi jonë kthehet në një bazë atomike.”

Por gjithashtu nëpërmjet pamjeve filmike dhe arkivale do të pasqyrohen edhe ngjyrat e jetës, si dhe aktivitet zbavitëse argëtuese të fëmijëve dhe të rinjve. Momente të veçanta që vijnë përmes pamjeve të rralla që shfaqen në sytë e publikut, e që përcillen nëpërmjet emocioneve të personazheve real të kronikave filmike.

Është viti i organizimeve të mëdha argëtuese, delegacioneve të gjëra të artistëve shqiptar në festivalin e madh botëror të rinisë dhe studentëve.

Besim Zekthi: “Ka greku këngë, ka rumuni këngë, ka jugosllavi, ka turku domethënë të gjithë ballkanasit. Por valle si shqiptarët nuk kanë, prandaj dhe emocione shpirtërore të artistëve valltarë tonit janë shumë më ndryshe nga emocionet e kulturës të vendeve të huaja.”

Por ishin edhe vitet e punës, mundit dhe sakrificave pa shpërblim të një  brezi të tërë idealistësh që besonin se këtu po ngrihej një nga kështjellat më të mëdha të socializmit.

Pandi Laço: “Pas gjithë këtyre novacioneve, këtyre pajisjeve që ju keni realizuar cilat kanë qenë përfitimet materiale që ju keni pasur, financiare?”

Besim Zekthi: “Ç’materiale ne rrogën kemi marrë more vëlla, çfarë kemi pasur materiale ne. Një rrogë kam marrë unë, ça kam bërë gjë tjetër unë.”

Pandi Laço: “Nuk kishit shpërblime?”

Besim Zekthi: “Jo, jo, po ka qenë kur vinte rasti për shpërblim për vit të ri, na jepte në vit të ri ndonjë gjel, ndonjë gjë.”

Sërish nëpërmjet kinoditarëve të kineastëve shqiptar do të përcillen veçoritë dhe absurdi i kësaj kohe. Nëpërmjet kjo falë dhe bashkëpunimit të paçmuar të arkivit qendror shtetëror të filmit.

Ky format televiziv  i veçantë nga autorët e programit Pandi dhe Bledar Laço, të mbështetur dhe nga një staf  i ngushtë mjaft i përkushtuar e profesional, duke konsideruar çdo program si një premier të ekranit.

Padyshim tani më ka krijuar një shikueshmëri të jashtëzakonshme në të gjithë hapësirën e eterit ku përhapen valët e televizionit Klan. Produksioni i cili mori udhë më 4 janar, ka ngjallur interesin e madh të publikut. Këtë e dëshmojnë emailet e shumta të mbërritura në adresë të emisionit, si dhe postimet e panumërta në Facebook. Një ndër rrjetet sociale më të klikuara ku përveç sugjerimeve të apasionuarit e rrëfimeve pa zhurmues nuk ngurojnë të ngrijnë edhe probleme. …/tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro