Të shtunën dhe të dielën në orën 20:00 do të startojë në ekranin e Televizionit Kombëtar Klan prezantimi i tetë kandidatëve, të cilët pretendojnë për të qenë finalistë të programit reality-show , Lider.
60 të rinj të ardhur nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia të përzgjedhur me kujdes në fazat e mëparshme kanë marrë sot leksione se si duhet mbajtur një fjalim, si duhet komunikuar me publikun nëpërmjet kamerave gjatë spektaklit te madh e shumë detaje të tjera që i nevojiten një politikani të së nesërmes.
“Formati “Lider” është një mënyrë më e mirë që i jep një oportunitet çdo të riu le të themi në një moshë relativisht të re për të dhënë atë më të mirën e tij edhe për të qenë më afër një realiteti shqiptar, një realiteti politik shqiptar”.
“Unë pres që të ofrojë botëkuptimin e brezit të grupmoshës më saktë që unë përfaqësoj, origjinalitetin, ndoshta njohuritë jo shumë të plota, por le të themi dëshirën e mirë për të kontribuar në zhvillimin e atdheut.”
“Do të ofrojë një pikëpamje tjetër në subjekte të ndryshme, të cilat diskutohen në shtëpi dhe shpresoj që disa ide që i kam pas i ri dhe që i kam tash, shpresoj që do të mund t’i shprehi dhe do të mund që të ndërlidhen me politikat e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe do t’i ndihmoj shtetit tim më së pari, por dhe Shqipërisë së madhe”.
Pedagogu i Universitetit Evropian të Tiranës, Ermal Hasimja, bashkë me drejtorin editorial të programit Lider, Mentor Nazarko dhe pedagogun e Shkencave Politike në Universitetin e Tiranës, Blendi Çeka kanë vëzhguar me kujdes këta garues duke parë mënyrën e komunikimit, aftësitë dhe elokuencën e secilit prej tyre, të cilët nesër do të dinë si të bëjnë për vete publikun e gjerë.
Në muajin Mars 16 prej këtyre të rinjve do të jenë garuesit e vërtet të spektaklit Lider. Për 12 javë me radhë do të qëndrojnë në një ambient, i cili është quajtur nga organizatorët si “qytezë politike” dhe do të survejohen nga kamerat. Pritet që programi “Lider” të thithë një audiencë mjaft të madhe brenda dhe jashtë vendit./tvklan.al
Gazetar: Edian Gjoni