Ish-kryeministri dhe lideri historik i së majtës, Fatos Nano është rikthyer në emisionin “Opinion”, të Blendi Fevziut në televizionin Klan, me një analizë të situatës pas zgjedhore, por dhe me akuza të ashpra ndaj kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama.
Në pjesën më të madhe të intervistës së tij Nano është përqendruar tek sjellja politike e Ramës, në drejtimin e socialistëve, zgjedhjet brenda kësaj force politike dhe projektin e tij politik.
Nano e ka quajtur Ramën një aventurier të cilin fatkeqësisht nuk po e ndal askush. Ai e akuzoi kryetarin socialist në detyrë për aventurizëm në pushtetin bashkiak, në politikë, në fushën e përdorimit të buxhetit, apo në fushën e kontakteve me botën informale dhe të nëndheshme.
Për ti bërë ballë këtij aventurizmi siç e quajti ai Nano, tha se do të qëndrojë përballë Ramës për ta ndalur atë qoftë në garën për bashkinë e Tiranës, qoftë në atë për zgjedhjen e presidentit të Republikës me qëllim për ta frenuar sepse po merr në qafë sipas tij PS-në dhe politikën shqiptare.
Fatos Nano: “Më lejoni të them që më vjen shumë keq, më dhimbset që aventurizmi i këtij masoni të pasuruar, Edvin Ramës në Shqipëri dhe në PS nuk po ndalet dot nga askush. Si është e mundur që askush nuk po i del përballë këtij njeriu. Në qoftë se kjo është e vërtetë unë jam këtu për të qëndruar përballë këtij aventurieri në bashki, në presidencë në çfarëdo niveli tjetër, në cilindo të jetë e nevojshme për të normalizuar situatën në Shqipëri.”
Blendi Fevziu: “Duke konsideruar dhe një kandidim të mundshëm për kryetar të bashkisë së Tiranës në zgjedhjet e pas një viti?”
Fatos Nano: “Është krejtësisht e hapur edhe kjo mundësi dhe do të jetë pjesë organike e skemës një me politikën 3 vitet e ardhshme.”
Një tjetër akuzë ndaj Ramës, të cilën Nano e quajti mason të kamur ishte ajo për bashkëpunimin e tij me njerëz të botë së krimit.
Fatos Nano: “Një numër i konsiderueshëm personash në kërkim kanë qenë në stafet e ngushta operative të zotit Rama në fushatën e 28 qershorit.”
Blendi Fevziu: “Kush janë këta persona në kërkim?”
Fatos Nano: “Kam folur me organet përkatëse sepse një javë përpara zgjedhjeve në orët e vona të asaj nate, kam marr mesazhe kërcënuese për jetën nga persona të tillë. Po vazhduat që ju të dy të bukurit e shejtanit ishte mesazhi. Të kërcënoni Ramën në fatin e tij politik do ta paguani me jetë, këtë gjë e kam denoncuar në organet përkatëse dhe me të gjitha kontaktet që nuk më mungojnë, sepse një politikan karriere nuk është një jetim në mes të xhunglës. Kam mundur të verifikoj se nga vinin dhe si përdoreshin këto kërcënime dhe nga kush bëheshin dhe sigurisht kam marrë masat e mia për tu mbrojtur.”
Blendi Fevziu: “Dhe ishin njerëz pranë Ramës?”
Fatos Nano: “Pranë Ramës, persona në kërkim madje nga ata më të famshmit që janë shfaqur dhe në incidentet e kohëve të fundit.”
Përsa u përket zgjedhjeve Nano tha se ato u humbën nga e majta dhe se përgjegjës kryesor për këtë humbje është Edi Rama. Në këtë kontekst Nano u bëri thirrje të gjithë socialistëve ti thonë jo bojkotit të Edi Ramës.
Fatos Nano: “Do t’i bëj thirrje që sonte të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste, që në 26 shtator mbi fletët e lakorit që ka gatuar Rama për rizgjedhjen kryetar, me gjithë respektin që kam për Maqon . Lakrori dhe Maqo janë bashkuar aksidentalisht tek i njëjti njeri. Unë po flas lakrori është që ka gatuar Rama, me gjithë respektin që kam për Maqon, të shënojnë më germa kapitale jo bojkotit.”…/tvklan.al
Gazetare: Elia Zotka