Deklarata e përbashkët e firmosur në Tiranë mes kryeministrit Rama dhe presidentit turk, si dhe tre marrëveshjet në fushën e sigurimeve në bujqësi, ajo për hapjen e Universitetit Teknik të Stambollit dhe ndërmjet Agjencisë për Media e Informim e thelluan edhe më tej bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Qëndrim të cilin e përforcuan gjatë deklaratës së përbashkët presidenti Erdogan dhe kryeministri Rama.
Erdogan: Ne i shohim nismat tona në fushën e tregtisë dhe investimeve si hapa pozitivë, të rrisim vëllimin tregtar në 2 miliardë në fazën e parë, të diversifikojmë sektorë novatorë në kushtet e sotme.
Rama: Marrëveshja e shumëpritur ishte për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Ramë dakord që duhet të bëhet më shumë për investime të drejtëpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit, ku e dimë të gjithë Turqia ka bërë një transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që mikpret miliona turistë dhe ka një kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer.
Por për zhvilimet në Lindjen e Mesme këndvështrimet janë të ndryshme.
Erdogan: Gjenocidi që vazhdon prej 1 viti në Gazë është turpi i përbashkët i gjithë njerëzimit. Duhet të bëjmë çmos për të siguruar armëpushim të përhershëm, për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të bërë presion mbi Izraelin. Besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim.
Rama: Ne bashkëndajmë me presidentin Erdogan vlerësime të njëjta me Ukrainën dhe palestinezët për të jetuar të lirë në shtetin e tyre, por në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm sepse duke qenë të vendosur kundër terrorizmit, për ne terrori në çdo formë dhe pamje që shfaqet është i patolerueshëm. Ne kemi votuar në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim, por për ne Hamasi dhe çdo burim terrori s’ka vend për të ardhmen paqësore mes dy shteteve sovrane, Izraeli dhe Palestina që duhet të jetojnë të sigurtë dhe askush mos të vërë në pikëpyetje ekzistencën e tyre.
Megjithatë bashkëpunimi mes dy vendeve edhe në fushën e sigurisë mbetet në nivelet më të larta. Kryeministri Rama konfirmoi ndihmën që Turqia i ka dhënë Shqipërisë përmes dronëve kamikazë.
Rama: Kjo dhuratë, nuk duhet të shqetësojë askënd se kë duhet të godasë Shqipëria, por mbart një mesazh të Turqisë, që Shqipëria është e pagoditshme.
Nga ana tjetër Presidenti turk shfaqi sërish shqetësim për çështjen e organizatës FETO.
Erdogan: Diskutuam edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër FETO-s me mikun tim Rama, shpresojmë që ta vijojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste.
Pjesë e deklaratës ishte edhe vizita e presidentit turk në Serbi, ku Rama apeloi për dialog mes palëve.
Rama: Ndajmë shqetësimin që situata mes dy vendeve duhet të qetësohet dhe dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të prevalojë.
E në mbyllje të deklaratës të dy ndanë një mesazh falenderimi për Xhaminë e re të Namazgjasë.
Erdogan: Ajo është xhamia më e madhe në Ballkan dhe do të jetë vendi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe solidaritetit.
Rama: Ju keni xhami te bukura, por ajo që do shihni sot eshtë një ndër më të bukurat e kohëve moderne dhe kjo është merita juaj. Më kujtohet mirë kur erdha si kryeministër i sapozgjedhur në Shqipëri, ju bëtë dorën nga dera e erdhi projekti. Më thatë ky eshtë projekti i vëllazërisë shqiptaro-turke, unë kisha vërejtje për projektin dhe ju më thatë po ta lë ty. Xhaminë dua ta hap me ty dhe pas pak do ju shoqëroj sepse të gjitha ikin, por shtëpitë e besimit mbeten edhe kur emrat tanë, përveç tuajit, harrohen.
Tv Klan