Emri i 34-vjeçarit është përmendur nga Euglen Halili
Erion Alibej, i arrestuar si porositës dhe organizator i dy vrasjeve në Elbasan, është marrë në pyetje nga hetuesit, por ka mohuar përfshirjen e tij në këto ngjarje. Alibej që njihet edhe me emrin Andrea Dylgjeri, rezulton nga hetimet se është personi që ka urdhëruar vrasjen e Emiljano Ramazanit mesditën e 20 Korrikut dhe 9 ditë më vonë edhe atë të Regis Runajt. Për ekzekutimin e Runajt policia ka vënë në pranga Xhuljano Hoxhën dhe Euglen Halilin. Ky i fundit është edhe personi që ka bashkëpunuar me prokurorinë dhe ka zbardhur dinamikën e vrasjes së Runajt.
Halili ka treguar se ka marrë pjesë edhe në vrasjen e Ramazanit, por vetëm në rolin e informatorit. Hetuesit kanë dyshime se, të dyja vrasjet janë kryer kundrejt pagesës dhe urdhërues e organizator është 34-vjeçari i arrestuar një ditë më parë. Sakaq burime nga Policia e Elbasanit bëjnë me dije se, vrasjet kanë ndodhur për shkak të prishjes së pazarave të drogës dhe hakmarrjes mes grupeve kriminale.
34-vjeçari është person me precedent të mëparshëm penal dhe emër i njohur për drejtësinë. Ai është vëllai i Endrit Alibejt, që mbeti i vrarë në një atentat mafioz dy vite më parë, së bashku me xhaxhain e tij Arben Dylgjeri dhe shtetasin turk Erdal Dyranay. Një tjetër ngjarje për të cilën prokuroria dyshon se i përfshirë është 34-vjeçari është edhe vrasja e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela. Ditën e hënë Alibej do të dalë përballë gjykatës, ndërsa akuzohet për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim.
Tv Klan