Erla Mëhilli: “Sot Edi Rama sërish për të maskuar humbjen lëshoi kërcënimet e radhës ndaj institucioneve shtetërore të vlerësimit të rezultatit të zgjedhjeve, por akoma dhe më keq ndaj komisionerëve të tij, të cilët kanë firmosur çdo tabelë dhe çdo rezultat në Berat, në Shkodër, Tiranë dhe në të gjitha qarqet e tjera të vendit. Pas anatemimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të zgjedhur me konsensusin e të gjitha palëve, presionit dhe paragjykimit të kolegjit zgjedhor ai bëri të ditur se nuk ka ndërmend të njohë rezultatin e zgjedhjeve dhe as të pranojë humbjen, madje zoti Rama i cili dukej thellësisht i rrënuar psikologjikisht deklaroi se do të padisë komisionerët e tij socialistë. Partia Demokratike i thotë zotit Rama se kërcënimet, mallkimet dhe trillimet janë të pafuqishme për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve. Je ti ai që more mandatin e nëntë të Fierit me vota dhe kuti të pavlefshme. Kutitë e Beratit, Shkodrës apo Tiranës nuk janë si kutitë e Fierit. Ato janë të numëruara, të certifikuara dhe të shpallura tashmë. E vërteta është se në harkun kohor të dy viteve, ti, partia dhe koalicioni që drejtove doli dy herë humbës. Përsa i përket bashkëpunimit me Partinë Socialiste Partia Demokratike mbetet e hapur. Qëndrimi i kryeministrit Berisha ka qenë dhe mbetet i hapur. Natyrisht problematika jote personale nuk është në agjendën e kryeministrit Berisha. Bashkëpunimi ndërmjet forcave politike është një trashëgimi e çmuar dhe një investim që nuk mund të nëpërkëmbet nga askush ku dhe vetë zoti Rama ka aksionet e tij. Ky është një proces që diktohet nga interesat e vendit dhe jo nga dëshirat, inatet individuale apo rezultatet thellësisht të dëshpëruara të zgjedhjeve.”/tvklan.al