“Dinari? Shpresoj se qeveria të jetë më fleksibël në Bruksel”
Ballafaqimi i qytetarëve serbë me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon dinarin serb vazhdon të mbetet brenga e emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Tha se raportet e SHBA-së me qeverinë e Kosovës aktualisht përballen me sfida për shkak, siç tha, trajtimit të minoritetit serb. Pas një takimi 2 orësh që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti, Escobar tha të ketë marrë premtime nga kryeministri se do të shqyrtojë disa nga propozimet e tij.
“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë. Shpresoj që Qeveria të jetë me fleksibile gjate diskutimeve në dialogun e së martës”.
Ai gjatë ditës ka qëndruar në Manastirin e Deçanit dhe në Pejë ku ka dëgjuar rrëfimet e komunitetit serb.
“Jam i prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka cenuar ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot”.
Escobar mbrëmë ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e opozitës. Ndërsa në Kosovë do të qëndrojë deri të premten.
Tv Klan