Barazimi në limite ndaj Kroacisë mban gjallë shpresat e Kombëtares Shqiptare për një kualifikim përtej fazës së grupeve të Europianit. Skenar që në letër duket i pamundur, por fusha na ka treguar se gjithçka mund të arrihet.
Ndaj ballkanasve, kuqezinjtë shfaqën grintë dhe karakter. Kombëtarja Shqiptare ka shanse reale për të vijuar rrugëtimin në turin tjetër të kompeticionit.
Fitorja ndaj Spanjës do të ishte “qershia mbi tortë” pasi me 4 pikë në total, kuqezinjtë do të ishin minimalisht në vendin e tretë në fund të grupeve, kuotë që sipas gjasave do ta poziciononte në mesin e katër skuadrave më të mira në 6 grupe.
Edhe golavarazhi do të fliste në krahun e Shqipërisë, pasi me një fitore të mundshme ndaj Spanjës, do të rregullonte edhe këtë aspekt që momentalisht gjendet në -1 gol. Gjithsesi, në kampin kuqezi është rikthyer besimi dhe të hënën ndaj Spanjës do të luhet një prej sfidave më të rëndësishme në historinë e futbollit shqiptar.
Klan News