Në kuadër të sfidës së rëndësishme të përfaqësueses shqiptare, Bashkia e Dyseldorfit, me kryebashkiakun, Stephan Keller, organizoi një ceremoni pritjeje për përfaqësues të Federatës Shqiptare dhe asaj Spanjolle.
Delegacioni shqiptar u kryesua nga presidenti Armand Duka, ndërsa të pranishëm ishin edhe zv. Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Peter Frymuth, e figura të tjera.
Numri 1 i institucionit të futbollit shqiptar, Armand Duka, falënderoi organizatorët për këtë pritje.
Armand Duka, Presidenti i FSHF: Jo vetëm ekipi jonë, por të gjithë fansat tonë në Dortmund sot në Dyseldorf, në Hamburg dhe gjithë kund e kanë treguar se jemi më europianë se të gjithë europianët. Unë jam shumë i lumtur kur shoh forcën e futbollit. Unë besoj se asgjë tjetër nuk do të mblidhte kaq shumë kombësi në një vend për të ndjekur një aktivitet sportiv.
Duka beson te Kombëtarja dhe te fitorja në përballjen kundër Spanjës.
Armand Duka, Presidenti i FSHF: Në ndeshje gjithkush do që të fitojë dhe ne duam që të fitojmë. Unë besoj se çunat tanë do të arrijnë të kënaqin gjithkënd që vjen në stadium dhe që ndjekin këtë ndeshje futbolli në të gjithë botën. Uroj që ta shijoni këtë ndeshje sot dhe uroj që ta shijoni gjithë Kampionatin Europian.
Në Dyseldorf janë me mijëra tifozë shqiptarë të cilët kanë udhëtuar për të mbështetur kombëtaren kuqezi, në sfidën e rëndësishme të Grupit B. Atmosfera që ata kanë krijuar është unike.
Klan News