Europarlamentarët janë të shqetësuar për situatën politike në Shqipëri.

Në një deklaratë zyrtarë të Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian i bëhet apel forcave politike shqiptare për të rinisur një dialog konstruktiv mes palëve, për t’u  arritur një zgjidhje, e cila do të forconte procesin e integrimit evropian të vendit.

Madje zv/presidentët e grupit, Severin dhe Swoboda kanë përsëritur vullnetin e tyre që nëse është e mundur, së bashku me kolegët e tyre të grupit parlamentar të partive popullore evropiane në Parlamentin Evropian të vijnë në Shqipëri dhe të zhvillojmë bisedime me të gjitha palët për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje mbi bazat e një zgjidhje të ekuilibruar.

Një ditë më parë, një grup deputetësh të Parlamentit Evropian, si Kukan, Fajon, e Bussutil, me anën e një deklarate për shtyp theksuan se të gjitha përpjekjet për të bojkotuar punët e parlamentit në të ardhmen do të pengonin dhe vështirësonin ambiciet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

Ndërkaq mësohet se Partia Socialiste do të vijohet të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin.

Pas seancës maratonë të javës së kaluar burime brenda selisë rozë thonë se grupi i të zgjedhurve socialistë nuk do të jetë i pranishëm në seancën e të enjtes në Kuvend, megjithatë vendimi do të zyrtarizohet ditën e nesërme në mesditë, kur kryesocialisti ka thirrur mbledhjen e grupit parlamentar.

Gjithsesi, sipas të njëjtave burime mësohet se socialistët do të jenë herë pas here të pranishëm në sallën e kuvendit kur ata do të gjykojnë të nevojshme, ndërkaq selia rozë mbetet vendosur për të nisur protestat për rrëzimin e qeverisë.

Ky qëndrim është ritheksuar sërish nga sekretari organizativ i Partisë Socialiste, Bendi Klosi.

Blendi Klosi: “E gjitha kjo amulli e papërgjegjshmëri i ka rrënjët tek një qeveri, e cila nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve. Përballë kësaj situate mbetet vetëm një mënyrë për gjetur zgjedhje. Protestë dhe vetëm protestë, prandaj ne i ftojmë qytetarët shqiptarë të marrin pjesë masivisht në protestat tona.”

Në fundjavë mësohet se do të mblidhet dhe Asambleja Kombëtare e Socialistëve, nga ku pritet të merret një vendim përfundimtar për rifillimin e protestave popullore dhe mënyrën e organizimit të tyre./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka