Anëtarja e kryesisë së PS dhe ish-kryeredaktorja e Gazetës Zëri i Popullit, Eva Allushi i shtohet figurave të tjera të kësaj partie të cilët kërkojnë që Edi Rama të respektojë statutin dhe të largohet nga drejtimi i partisë.
5 herë i thotë ik Eva Allushi Edi Ramës në një shkrim të sajin në gazetën Panorama.
Së pari për të zbatuar statutin e partisë të cilin e propozoi vetë ai. Së dyti ekziston precedent i Fatos Nanos i cili dha dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve të 2005.
Së treti, sipas Allushit Edi Rama duhet të largohet pasi ai dështoi në misionin e tij politik, ai nuk bëri dot bashkimin e qytetarëve përtej së majtës dhe së djathtës pasi nuk ngjalli besim tek qytetarët.
Allushi i thotë ik për herë të katërt Edi Ramës pasi në ambicien e tij personale ai nuk e pati vizionin e liderit që bashkohet me aleatët. Sipas saj Rama kërkoi ti shtypë të vegjlit e politikës e jo të bashkëpunojë me ta.
E fundit por më e rëndësishmja, thotë Allushi, është se Edi Rama tashmë e ka humbur mandatin e tij dhe i përket forumeve të partisë ti hapin rrugë kandidatëve të rinj për kryetar.
Allushi ka renditur edhe idetë e saj pse Edi Rama i humbi zgjedhjet. Në radhë të parë ajo thotë se mes socialistëve u mboll urrejtja.
Rama nuk ngriti shpirtërisht Partinë Socialiste duke u larguar prej militantëve, dëmtoi demokracinë e brendshme në parti dhe nuk bëri opozitë të qëndrueshme dhe të vazhdueshme.
Rama i ofroi shqiptarëve për të votuar të rinj të papërgatitur të cilët tregonin popullit problemet por jo zgjidhjen e tyre.
Program i dobët politik dhe rezervimi i tij madje edhe ndaj kryesisë së partisë është një tjetër arsye.
Së fundmi Eva Allushi thotë se Rama nuk bashkëpunoi me aleatët e tij vetëm për hir të një karrigeje./tvklan.al
Gazetar: Erion Todhe