Mediat britanike, jehonë investimit në rivierën shqiptare
Aeroporti i ri i Vlorës tërheq vëmendjen e mediave të huaja ende pa nisur nga puna. Tabloidi “Express” i ka kushtuar një reportazh të veçantë duke e konsideruar një mundësi më të mirë për turistët britanikë që gjithnjë e më shumë po zgjedhin Shqipërinë për të kaluar pushimet e tyre.
Në shkrim nënvizohet fillimisht rritja turistike që ka njohur Shqipëria vitet e fundit, duke u bërë konkurrent edhe me destinacione të njohura në Mesdhe si Greqia dhe Kroacia. Dhe tashmë, sipas Express, riviera shqiptare mund të mirëpresë edhe më shumë vizitorë pasi po përgatitet të lançojë aeroportin e tretë ndërkombëtar të vendit.
Hapja e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës do të jetë me siguri një arsye më shumë për turistët për të udhëtuar drejt kësaj riviere, pasi do të shkurtojë kohën e udhëtimit. “Express” shkruan se aktualisht, aeroporti më i afërt me Vlorën është 150 kilometra larg, ai i Tiranës, i cili mund të arrihet për pak më shumë se 3 orë nga Londra për 100 paund në kulmin e sezonit.
Gazeta britanike citon se investimi 103.5 milionë euro i kompanisë Mabetex International pritet të nisë fluturimet në Mars të 2025-ës dhe se vetëm brenda vitit të ardhshëm do të përpunojë 1 milion pasagjerë.
Tv Klan