Media: Falsifikimet në Shqipëri, “dhimbje koke” për Athinën
Pika e kalimit kufitar në Kakavijë është mbyllur përkohësisht sot, por gazeta me madhe greke Tanea ngre pyetjen se për cilat arsye mijëra shqiptarë iu drejtuan fabrikave që prodhojnë teste ‘fake’ për të dëshmuar pastërtinë e tyre nga koronavirusi. Sipas kësaj gazete, njerëz të zgjuar kanë gjetur një mënyrë interesante për të bërë punë të tilla të arta në mes të pandemisë.
Policia ishte ngarkuar ekskluzivisht me kontrollin e formularit elektronik PLF, pa pasur ndonjë pajisje përkatëse dhe ata thjesht i “skanonin” formularët PLF me celularët e tyre. Policët në kufi, për fat të keq ndihen të braktisur dhe në mëshirën e Zotit, pasi shteti grek nuk ka marrë masat e nevojshme për të bërë punën e tyre siç duhet.
Edhe pse është zbuluar si fenomen, media greke pretendon se trafikantët po shesin certifikata false të koronavirusit, të cilat po përdoren për të kaluar kufirin.
Këto teste të rreme negative të koronavirusit janë bërë një “dhimbje koke” e vazhdueshme për autoritetet shëndetësore greke. Vetëm në Kakavijë vlerësohet se kalojnë më shumë se 500 makina çdo ditë. Sipas zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Civile, situata në kufijtë me Shqipërinë nuk mund të justifikohet vetëm me pretendimin e pasagjerëve, sidomos nëpër autobusë, se ata ishin me të vërtetë negativë, ndërsa e manifestuan sëmundjen brenda disa orësh, ndërsa po mbërrinin në kufirin greko-shqiptar. Sipas autoriteteve greke, problemi me testet në Shqipëri është se ato kryhen vetëm në tre qendra diagnostikuese, kryesisht në Tiranë dhe vetëm njëri prej tyre ka “barkod”.
Katër autobusë që transportonin punëtorë, të cilët kishin një test “negativ” për Covid-19, pas ritestimit në kufi u konstatua se shumica ishin pozitivë. Rojet kufitare më pas udhëzuan shoferët e të katër autobusëve që të ktheheshin.
Ndërkohë në Tiranë nuk ka ende asnjë lëvizje nga asnjë institucion për të verifikuar këtë skandal, se ku e ka burimin. Një ditë më parë Klan Plus kontaktoi laboratorët që kanë lëshuar këto teste dhe ata thanë se nuk kishin vërejtur problem.
Klan Plus