Lajme Arkiva 2003

Familja Sina në Sauk të Tiranës pret sërish ngushëllime për 34-vjeçarin që u vra në momentet që po shoqëronte familjen e kryeprokurorit. Albana bashkëshortja e shoferit të vrarë, tregon se e ka patur të vështirë të besojë variantin e policisë se Genci u vra në rrethana banale.

Gruaja: Ai ka dalë nga shtëpia pa ngrënë bukë. Ka dalë nga shtëpia pa e mbaruar pjatën e gjellës se i ra telefoni i punës, e thirri detyra që ishte. Burri im kur ishte në detyrë me nusen e prokurorit nuk replikonte me njeri. Nuk debatonte me njeri, nuk fliste me njeri. Atij edhe kur e merrje në telefon e mbyllte telefonin kur ishte me zonjën. Fisi i burrit tim nuk kanë pasur kurrë hasëm kanë qenë njerëz punëtor rronin me djersën e ballit. Ne prisnim rrogën. Genci ishte punonjës i gardës. Ka 13 vjet në gardë. Ai ka lënë një fëmijë 3 vjeç. Kërkon babin. Babain atij nuk ja zëvendëson njeri. Ka nevojë të rritet. Kush do ta rrisë? Kush do të kujdeset? Shteti kujdeset më shumë për vrasësin se sa për atë që punon. Ai punën e vet e ka larë me gjak.

Versioni i dalë nga prokuroria se shoferi u vra pas një sherri banal gjatë qarkullimit në bulevard, duket se po rëndon më shumë te meshkujt e familjes Sina.

“Për këtë nuk e besoj që është grindje e çastit kur është vrarë, ka qenë vetë prezente zonja Sollaku. Të thotë zonja Sollaku të vërtetën që është grindur, ka ofenduar, apo ka bërë debat Genci me personin që ka kryer aktin, prandaj nuk e besoj atë pistën për sharje banale. Shteti të vëjë dinjitetin e vetë. Ka qenë bashkëpunëtor, ka qenë në krye të detyrës nuk ka qenë me makinë personale po ka qenë më makinën e prokurorit të përgjithshëm”.

“Vrasja është kundër shtetit, nuk është kundër djalit tonë, pavarësisht se djali është pasoja, viktima”./tvklan.al