Kryetari i komisionit parlamentar të ligjeve Fatos Beja, konfirmoi se dekretet e reja të presidentit Topi për anëtarë e Gjykatës së Lartë do të shqyrtohen sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren parlamentare.

Beja nuk ka bërë asnjë koment nëse këto dekrete plotësojnë kriteret ligjore të sugjeruara për kreun e shtetit nga mazhoranca, por tha se do të jetë komisioni që do të vendosë mbi ligjshmërinë e tyre.

Fatos Beja: “Rregullorja është për t’u zbatuar nga momenti që është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në përputhje me kushtetutën. Kuvendi, parlamenti në çdo vend shprehet me votën, por kjo vo0të realizohet nëpërmjet disa procedurave të bazuara mbi ligj dhe mbi rregullore të çdo parlamenti. Çdo gjë që bëhet jashtë këtyre kërkesave nuk ka fuqi ligjore, çdo kush që ka pretendime të ndryshme ka një gjykatë kushtetuese e cila gjykon. “

Por nga ana tjetër deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Spartak Braho, tha se votimi për dhënien e pëlqimit ose jo për dekretet, duhet të realizohet menjëherë pa ndërmarrë procedura të dyfishta për shqyrtimin e tyre nga kuvendi.

Sipas procedurave të reja të përcaktuara në rregulloren e Kuvendin brenda 30 ditëve nga marrja e dekreteve, parlamenti duhet të jetë shprehur për dhënien ose jo të pëlqimit. Emra të rinj për anëtarë të gjykatës së lartë ju përcollën kuvendit nga presidenti Topi pas shqyrtimit nga ekspertë të 105 kandidaturave që dorëzuan dokumentacionin në presidencë./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Gentian Koçi