Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rihapet debati Nano-Meta. Në Roskovec kryeministri Nano ka paralajmëruar simpantizantët dhe anëtarët e PS, të ruhen nga ata shokë që shfrytëzojnë demokracinë brenda partisë.

Kryeministri Fatos Nano:- “Kini kujdes nga një numër edhe pseudo socialistësh, që duke abuzuar me demokracinë e brendshme të partisë sonë, akuzojnë edhe vetë PS, si burim mjerimi, apo autoritarizmi. Këta zëra po lëshojnë në emër të pseudo vetvetes, të njëjtat akuza si doktori pacient Berisha. Rrini të qetë motra e vëllezër, socialistët, progresistët dhe mazhoranca dërrmuese i komuniteteve që i mbështet, nuk besojnë më as vetë Berishën dhe as megafonët e tij të zgërlaqur edhe sikur ata të fshihen në radhët tona”.

Kreu i mazhorancës tha, se socialistët mbeten më të mirët, duke justifikuar rrugë, kryeministri Nano deklaroi se nuk erdhi për të bërë bilancin, por për të shpalosur të vërtetat e qeverisjes socialiste pas krizave të shkaktuara nga kreu i opozitës. Në Roskovec kryeministri Fatos Nano nisi turin e dytë elektoral, për të prezantuar Miss-in e bashkisë, siç e quajti ai kryetaren aktuale të bashkisë Lindita Çobon, si dhe për të deklaruar se deri në natën e 13 Tetorit, do t’i shkelte të gjitha bashkitë e mëdha dhe të vogla.

Kryeministri Fatos Nano:- “Lindita jam i sigurt do vazhdojë të jetë Miss Roskoveci”.

Kryeministri Fatos Nano mori pjesë gjatë paradites në ceremoninë e vënies në punë të autotransformatorit të ri me fuqi 120 Megavatë në Termocentralin e Fierit. Nano gjatë qëndrimit në këtë TEC, vizitoi sallën e komandës repartet e turbinave dhe të kaldajave, si dhe u njoh me gjendjen aktuale dhe prespektivën e këtij TEC-i. Sipas specialistëve, tashmë pritet të përmirësohet ndjeshëm furnizimi me energji elektrike në qytetet Sarandë, Vlorë, Lushnje, Kuçovë e Berat.

Gjatë këtij viti investimi i qeverisë shqiptare për TEC-in e Fierit kap shumën e 2 milion dollarëve. Në një takim të biznesmenëve dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, kryeministri Nano më pas ka mbështetur nismën e një plani i cili parashikon zhvillimin e qytetit të Fierit./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj