Lajme Arkiva 2003
Është i sigurt dhe beson se ka një vizion më të madh dhe më ndryshe për Durrësin nga ç’është premtuar deri më tani. Kandidati i Partisë Socialiste për këtë qytet Lefter Koka është shprehur se të nesërmen e fitores ai do ta shndërrojë Durrësin në një kantier të madh duke e nisur me planin rregullues të qytetit dhe të tjera investime që do të rrisin numrin e turistëve verën e ardhshme. Në këtë mënyrë shprehje është kuptuar se kandidati Hoti, po socialist, s’kishte arritur të bënte aq sa duhej.
Lefter Koka kandidai i prezantuar nga kryeministri Nano në qytetin bregdetar do të sjellë ndryshime.
Lefter Koka: Shumë shpejt do të fillojë puna për ndërtimin e portit të ri të peshkimit, do ta fusë qytetin në karakterin e tij dhe pas tij do të ndërtojmë një port të bukur turistik dhe modern për ti dhënë qytetit një ndriçim të ri. Betohem se në qytetin tonë, para ligjit do të jenë të barabartë qytetari dhe polici, urbanisti dhe taksidari, administratori dhe gjyqtari.
Në prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie kryeministri Nano përveç bashkëshortes është shoqëruar edhe nga koalicioni për shtetin dhe një sërë ministrash. Kandidatura e biznesmenit Lefter koka është cilësuar si më e mira e një njeriu që do të ndryshojë faqen e këtij qyteti. Më këtë rast Nano i është përgjigjur edhe kundërshtive të Berishës ndaj kësaj figure.
Fatos Nano: Po zoti Berisha, Lefter Koka është mik i Fatos Nanos sepse është mik i progresit dhe i sipërmarrjes së lirë. Lefter Koka është një sipërmarrës që respekton ligjin dhe i paguan buxhetit shtetëror 8 milionë Dollar kontribute fiskale në vit. Ne e gjetëm shtetin të shkatërruar dhe e rindërtuam. Ne e gjetëm thesarin e shtetit bosh, të grabitur nga Berisha dhe e mbushëm plot. Ne nuk gjetëm një Shqipëri me miq dhe aleatë ne Evropë dhe në botë, por të izoluar dhe me kurrizin e tyre përballë. Ne gjetëm pseudo-demokracinë e Berishës dhe e shndërruam humnerën që ai la pas në një realitet.
Kryeministri Nano nuk ka harruar të ngrejë lart kontributin e kryetarit aktual Miri Hoti për vitin 2003 shteti ka planifikuar sipas kryeministrit Nano të investojë 1 miliardë euro më shumë për një Shqipëri ndryshe./tvklan.al