Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për 8 të pandehur të dosjes për inceneratorin e Tiranës, mes tyre edhe për ish Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka. Për 4 të tjerët, gjykimi do të vijojë me procedurën e zakonshme dhe çështja do të ndahet më vete.
SPAK kundërshton ndarjen e çështjes dhe dërgimin e akteve në një gjykatë të juridiksionit të zakonshëm.
12 të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës” e kryer në bashkëpunim sa i takon procedurës për dhënien e koncesionit për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Gjatë hetimeve, Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënine e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publikë kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumetat për të fituar koncesionin për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Në seancën e radhës që do të zhvillohet më datë 7 Shkurt, SPAK pritet të japë pretencën për 8 të pandehurit duke kërkuar masat e dënimit.
Në rast se shpallen fajtor, 8 të pandehurit do të përfitojnë ulje me 1/3 të dënimit.
Ata kanë kërkuar pushim të çështjes në hetime paraprake dhe pretendojnë se janë të pafajshëm.
Klan News