Këta fermerë në shtetin vendimtar të garës për zgjedhjet presidenciale në Pensilvani shpresojnë për një rikthim të ish-presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ata thonë se ata janë më të interesuar për politikat e tij në sektorin e bujqësisë dhe injorojnë komentet e Kamala Harris se ai është një kërcënim për demokracinë.
“Donald Trump ka gabimet e veta, por unë mendoj se ai ishte shumë pro-sipërmarrjes. Dhe bujqësia është një biznes. Ky është një biznes. Mua më pëlqen fakti se ai na vlerëson, se i vlerëson njerëzit që janë duke punuar shumë, njerëzit që përpiqen të krijojnë vende pune, që po përpiqen të prodhojnë ushqim për botën.”
Mark Troyer, është pronari i Troyer Farms në veriperëndim të shtetit. Kjo fermë është e specializuar në prodhimin e patateve, grurit dhe misrit. Edhe bashkëmoshataret e Troyer dëshirojnë një kthim të politikave të Trump, duke përfshirë atë të shkurtimit të taksave.
“Shpresat tona janë tek ulja e taksave siç edhe ka ndodhur tashmë. Ne duam që shkurtimi i taksave të vijojë edhe në të ardhmen. Kemi shumë fabrika. Kemi shumë pronarë që punësojnë njerëz të rinj. Ulja e taksave do të ndihmonte që njerëzit të ruanin vendin e tyre të punës në këtë rajon, por edhe në zona të tjera rurale në SHBA. Kjo është arsyeja kryesore pse ne e mbështesim administratën e presidentit Trump”.
Mbështetësit e tij shprehen se janë më të sigurt me Trump duke qenë se ai ka shërbyer edhe më herët si ish-president i SHBA-së.
“Me kandidaturën e Trump, e dini se çfarë do të ndodhë pasi e njohim ndërsa me Harris nuk e dimë. Ne vëzhgojmë dhe përpiqemi të marrim sa më shumë informacion që mundemi rreth politikës së ardhshme që do të adaptojnë administrata e Harris kundër asaj të Trump. Për fermat e vogla, veçanërisht për ato biznese familjare është e rëndësishme të dihet se çfarë do të ndodhë. Me skadimin e Aktit të shkurtimeve të taksave dhe vendeve të punës, ka shumë shqetësime në biznesin e vogël se me një administratë të re me Harris, mund të vendoset një barrë e panevojshme financiare në shumë prej bizneseve të vogla në rajonin tonë, por edhe në të gjithë Pensilvaninë”.
Akti i shkurtimeve të taksave dhe vendeve të punës në 2017 rishikoi taksat individuale dhe të biznesit.
Reforma ndikoi tek tatimpaguesit dhe pronarët e bizneseve, veçanërisht përmes uljes së taksave. Shumë nga përfitimet e reformës tatimore për individët skadojnë në vitin 2025 dhe kjo po i frikëson fermerët.
“Ne jemi të gjithë që merremi me bujqësi në këtë zonë dhe mënyra se si ne jetojmë çdo ditë është shumë e rëndësishme për ne. Ajo që kemi parë të ndodhë me biznesin tonë është se inflacioni po na vret. Pra, ju shikoni gjithçka që ne bëjmë. Traktorët shkuan nga 50,000 dollarë në 100,000 dollarë në tre ose katër vjet për shkak të inflacionit. Kimikatet që përdorim, plehrat, spërkatjet që përdorim, korrësit u rritën në çmime. Dikur merrnim ndihmë, por tani po paguajmë nga 18, 19 dollarë, 20 dollarë plus përfitime për njerëzit që na ndihmojnë në fermat tona. Problemi është se ne nuk marrim më para për atë që prodhojmë.”
Nicholas Mobilia, pronar i një biznesi të vogël në Pensilvani e ka ndjerë veten më të vlerësuar në administratën e Trump.
“Katër vitet që Trump ishte president, ne ishim më mirë si pronarë biznesi, por edhe si shoqëri sesa jemi nën udhëheqjen e demokratëve tani. Por ka shumë gjëra të tjera që kontribuojnë në faktin pse gjërat nuk janë mirë. Shumë gjëra po ndodhin në mbarë botën që na prekin.”
Megjithatë, jo të gjithë banorët në Pensilvani e mirëpresin një rikthim të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë mendoj se Harris do të jetë zgjedhja e shkëlqyer. Mendoj se të gjithë duhet të rimendojnë atë që po bëjnë. Trump-it padyshim nuk i intereson. Atij nuk i intereson se kush jeton ose vdes dhe kush është i begatë dhe kush jo. Dhe kjo është arsyeja pse unë votoj për Kamalën”.
“Ajo është thjesht zgjedhja e qartë, më e mirë për të gjithë në tërësi. Ajo është më e zgjuar. Ajo thjesht duket se i interesojnë më shumë njerëzit.
Trump ka bërë një sërë premtimesh për të ulur kostot e prodhimit për fermerët. Ish-presidenti ka thënë gjithashtu se do të ulë kostot e energjisë elektrike për fermat brenda vitit të parë të mandatit të tij. Ndërkohë aplikimet për viza nga punëtorët e huaj u rritën gjatë mandatit të Biden dhe Harris për shkak të mungesës së madhe të fuqisë punëtore në ferma.
Kur Trump ishte president, në Amerikë pati një rritje të konsiderueshme të bastisjeve në vendet e punës ku shumë punëtorë emigrant të huaj u arrestuan ose u dëbuan. Në një nga bastisjet më të mëdha të dekadës së fundit, agjentët e emigracionit arrestuan më shumë se 650 njerëz në shtatë ferma në Misisipi. Trump ka rritur retorikën mbi kontrollin e kufijve, duke kërcënuar me “deportime masive” të miliona emigrantëve.
Qasja e tyre për shumë politika bujqësore ka qenë e ndryshme. Njëra prej tyre është edhe ajo e zhvillimit të bujqësisë në harmoni me natyrën. Gjatë kohës së tij në detyrë, Trump hoqi më shumë se 100 rregulla që synonin mbrojtjen e mjedisit, disa prej të cilave më pas u ndryshuan gjatë administratës së Biden.
Nëse zgjidhet president, Trump është zotuar se administrata e tij do të heqë dorë nga politikat klimatike të bëra gjatë administratës së Biden, për të cilat ai pretendon se kanë kontribuar në kosto më të larta të energjisë.
Klan News