Flakët masive kanë detyruar të paktën 26 mijë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në Kaliforninë Veriore. Një pjesë e madhe e Shteteve të Bashkuara është përfshirë nga vala e të nxehtit e cila po shkakton gjithnjë e më shumë zjarre në pyje e jo vetëm. Zjarri “Thompson” shpërtheu të martën rreth 110 km në veri të Sacramento, pranë qytetit të Oroville.

Më shumë se 3,500 hektarë bar dhe pyje u përpinë nga flakët. Oroville është afër Paradise, një zonë që u shkatërrua në vitin 2018 nga zjarri më vdekjeprurës në historinë e Kalifornisë, që vrau 85 njerëz.

Shkencëtarët thonë se SHBA-ja perëndimore po përjeton thatësira ekstreme prej ngrohjes globale.

Ndërkohë situata aktuale është alarmante! Vetëm ditën e djeshme, rreth 1,400 zjarrfikës po luftonin me flakët në tokë me makineri të rënda dhe nga ajri me avionë e helikopterë. Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Butte County.

/tvklan.al