I mbushur si rrallëherë me fëmije, Teatri i Operas çeli dyert në 1 qershor për vogëlushët e kryeqytetit, por jo vetëm. Fondacioni i fëmijëve shqiptare “Domenick Scaglione” kishte organizuar një feste enkas për ata. Në hollin e teatrit, printe një ekspozite me piktura të krijuara nga fëmijët e qendrës se zhvillimit në Shkodër, punime të cilat rrëmbyen vëmendjen e zonjës së kryeministrit, Liri Berisha dhe të të ftuarve.

Duke evidentuar faktin se zëri i fëmijëve po dëgjohet gjithnjë e më shumë, zonja Berisha, kërkoi nga prindërit dhe vetë fëmijët që rriten në gjirin e familjeve të mendojnë për ata fëmije që nuk kanë mundësi të jetojnë një fëmijëri të lumtur.

Liri Berish: “Gëzuar festën e 1 qershorit, e cila çdo vit bëhet edhe më e bukur për ju. Por do kërkoja nga ju të mësojmë fëmijët tanë që krahas festave të bukura të mendojnë që në këto festa ka shumë fëmijë që nuk mund të vijnë, ka shumë fëmijët sot që u mungon mundësia për të ardhur nga sëmundja, ka të tjerë që nuk mjekohen dot, ka nga ata fëmijë që nuk shkojnë dot në shkollë. Ka fëmijë që rriten me hallet e prindërve të tyre duke kaluar moshën më të bukur pa provuar fëmijëri.”

Më pas ishin fëmijët ata që sollën harenë në skenë. Ata përcollën për të pranishmit,  prindërit dhe familjarët, recitime, këngë, pjesë baleti, ku fëmijë të moshave të ndryshme performuan nën pjesët melodike nga kolonat e njohura zanore të filmave më të dashur vizatimorë.

Të ardhurat e mbledhura nga shitja e biletave për këtë shfaqje fëminore do të shkojnë për fëmijët në nevojë, pikërisht ata që s’munden si bashkëmoshatarët e tyre të gëzojnë. Ndërsa të ardhurat nga blerja e pikturave do të përdoren nga Qendra e Zhvillimit në Shkodër./tvklan.al

Gazetare: Irma Toptani