Lajme Arkiva 2003
Data 3 Shtator do të shënojë edhe çeljen këtë vit të festivalit ndërkombëtar të teatrove i njohur nga të gjithë si “Butrint 2000”. Ky është pikërisht festivali i parë ndërkombëtar i këtij lloji që zhvillohet në ambientet e teatrit antik të Butrintit dhe që ka krijuar një traditë e cila e ka renditur atë përkrah evenimenteve më të rëndësishme në fushën e teatrove në Ballkan.
Këtë vit festivali do të zgjasë 8 ditë dhe në të do të paraqiten për konkurrim trupa teatrore të njohura të ardhura nga vende të ndryshme të Evropës. Por ndërsa ishte vendosur që ky festival të çelej nga trupa shqiptare me shfaqjen e regjisorit Gëzim Kame, “Stinë e mërzitshme në Olymp”, mësohet se kjo shfaqje është anuluar nga vetë organizatorët e saj.
Kështu vendin e saj pritet ta zërë një tjetër trup teatrore e cila vjen nga jashtë Shqipërisë, ndërkohë disa nga trupat pjesëmarrëse do të Spanja e cila do të interpretojë ritmet e natës flamengo, Hollanda me shfaqjen “Edipi”, Rumania me shfaqjen “Made in Rumania”, Teatri Kombëtar i Prishtinës me shfaqjen “Oresti”, etj.
Këtë vit do të ketë dy çmime për këtë festival. Çmimi i medias dhe ai i publikut. Sërish presidenti i tij është regjisori grek, ndërkohë që aktiviteti mbështetet nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve./tvklan.al