Fakti që vinin nga një vend që sulmet kibernetike vitet e fundit po i provon në mënyrë konstante në të gjitha sistemet qeveritare dhe publike, iu ka shërbyer të jenë të përgatitur tre të rinjve që dolën të parët në garën e “Global CyberDrill”. Eksperiencë që e ndan në podcastin e kryeministrit Rama.
Ilirian Daka: Kur pamë Shqipërinë që ishte në krye, ti shikon te vetja çfarë mund të bëjmë më tepër. Filluam dhe kërkuam brenda vetes se çfarë kemi hequr gjatë asaj kohës që patëm sulmin, si e kemi zgjidhur, çfarë ka ndodhur. Duke gjetur pikat kyçe sesi e zgjidhëm këto ne arritëm të zgjidhnim edhe ushtrime të tjera në vazhdimësi.
Franc Zylyftari: Impakti që u listuam të parët tregoi se kemi marrë njohurinë e duhur dhe zotërojmë eksperiencën e duhur. Ishte dinamike. Gjykoj se nuk ka kënaqësi më të madhe se të përballesh me kërcënimet e jashtme që duan t’i bëjnë dëm shtetit shqiptar.
Aktualisht ata janë rekrutuar në agjensitë publike të teknologjisë, që sipas kryeministrit janë konkurruese me paga me kompanite private. Vendim për rritjen e pagave kryesisht për specialistet e IT u ndërmor pas vështirësive që kishin institucionet publike për të thithur specialistë të kualifikuar për shkak të pagesave të ulëta.
“Ne kemi bërë përpjekje, por them se kemi sjellë AKCESK dhe AKSH në nivelin e tregut. Do t’i bëjmë subjektet më të dëshiruara në treg sepse është e vetmja mënyrë që të kemi aty talentet më të mira të kemi njerëzit më të motivuar dhe të kemi forcën më efektive në llogore dhe kjo realisht është një luftë e jashtëzakonshme dhe shumë stresuese.”
Iliran Daka, Franc Zylyftari dhe Adriano Lleshi fituan garën e “Global CyberDrill” duke u ndeshur me ekipe nga 108 shteteve duke simuluar skenarë të sulmeve kibernetike.
Tv Klan